Warren Buffett është ish-kryetar i Berkshire Hathaway dhe një nga investitorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Ai u rrit në një mjedis ku aktivitetet financiare ishin dukuri e përditshme për familjen dhe për të. Babai i tij, përpara se të hynte në politikë, zotëronte një firmë ndërmjetësimi dhe karriera e tij pati një ndikim të rëndësishëm tek i riu Buffett, sipas CNBC Make It.
Buffett nuk u detyrua kurrë nga prindërit e tij që të ndiqte rrugën e tyre. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të farkëtonte rrugën e tij, i udhëhequr nga interesat personale, që e çuan drejt një suksesi të jashtëzakonshëm. Në fund të vitit të kaluar, Buffett dha dorëheqjen si CEO dhe vlera e Berkshire Hathaway tejkaloi 1 trilion dollarë.
“Nuk ndjeva që duhej të ndiqja rrugën e babait tim”, i tha Buffett Becky Quick të CNBC në “Warren Buffett: Një Jetë dhe Trashëgimi”, duke theksuar rëndësinë e autonomisë që i kishte ngulitur i ati.
Buffett kujton se i ati i referohej shpesh esesë së Ralph Waldo Emerson “Mbështetja në Vetë”. Citimi që e frymëzoi veçanërisht ishte: “Fuqia brenda njeriut është e lindur dhe askush nuk e di se çfarë mund të bëjë me të përveç vetes, madje as ai vetë derisa të përpiqet.”
“Këshilla kryesore që më dha babai im ishte që secili duhet të gjejë rrugën e vet dhe të ndjekë atë që i përshtatet interesave të tij. Unë u dhashë të njëjtat këshilla fëmijëve të mi, duke u thënë atyre të zgjidhnin punën që do të bënin edhe nëse nuk do të duhej të punonin”, tha Buffett.
Buffett kujton se që në moshë të re ndjeu një tërheqje ndaj botës së parave dhe biznesit.
“E gjeta atë që doja të bëja me jetën time kur isha pesë vjeç”, kujton Buffett. Ai e kaloi fëmijërinë duke shitur çamçakëz dhe duke shpërndarë gazeta dhe bleu aksionet e tij të para në moshën 11 vjeç . “Interesi që ndjeva për atë që po bëja ishte menjëherë intensiv , shumë më tepër sesa do ta kishte pritur kushdo, madje edhe babai im.”
“E kuptoj që kushtet ekonomike mund ta bëjnë të vështirë për të rinjtë të gjejnë punën ideale bazuar në interesat e tyre», shkroi ai në letrën e tij të vitit 2021 drejtuar aksionarëve. «Megjithatë, i inkurajoj të mos ndalojnë së kërkuari, sepse kur të gjejnë punën që u përshtatet vërtet, nuk do të ndihen më si punonjës të zakonshëm».
Sipas Buffett, një element i rëndësishëm për një karrierë profesionale është bashkëpunimi me njerëz që dallohen për etikën dhe aftësitë e tyre dhe krijimi i marrëdhënieve me kolegë që frymëzojnë respekt .
Në takimin vjetor të aksionarëve të Berkshire në maj, Buffett tha se njerëzit me të cilët shoqëroheni “luajnë një rol vendimtar në jetën dhe vendimet tuaja”.
«Vendimet tona ndikohen shumë nga njerëzit me të cilët punojmë, të cilët i admirojmë dhe që bëhen miqtë tanë», shtoi ai më tej.
