Për të nëntin vit radhazi Finlanda renditet e para në Raportin Botëror të Lumturisë. Pavarësisht klimës së ftohtë, dimrave të gjatë dhe periudhave të konsiderueshme të mungesës së dritës, finlandezët duket se kanë gjetur një mënyrë për të jetuar të përditshmen e tyre me paqe dhe përmbushje.
Lumturia në Finlandë nuk bazohet vetëm në përfitimet sociale, siç janë arsimi falas, qasja e lehtë në kujdes shëndetësor dhe leja e mjaftueshme nga puna. Zakonet e përditshme, vlerat dhe lidhja e njerëzve me natyrën dhe komunitetin luajnë një rol qendror. Më poshtë janë disa nga sekretet finlandeze për një jetë të lumtur dhe paqësore.
1. Ndershmëri në ndjenja
Në Finlandë, njerëzit nuk ndihen të detyruar të duken gjithmonë të lumtur. Përkundrazi, ekziston një tolerancë më e madhe për shprehjen e emocioneve të vërteta. Kjo ndershmëri u lejon finlandezëve të menaxhojnë stresin në mënyrë më efektive dhe të ndërtojnë marrëdhënie më kuptimplote me miqtë dhe familjen. Studimet tregojnë se shtypja e emocioneve lidhet me rritjen e niveleve të stresit dhe izolimin social, ndërsa komunikimi autentik rrit mirëqenien mendore dhe ndjenjën e përmbushjes.
2. Ekuilibri midis punës dhe jetës personale
Finlandezët punojnë shumë, por në të njëjtën kohë i japin përparësi jetës së tyre personale. Orari i punës është i arsyeshëm dhe udhëtimet për në punë janë të shkurtra, gjë që u jep më shumë kohë familjes, miqve dhe hobe-ve. Ky ekuilibër zvogëlon stresin dhe rrit kënaqësinë e përgjithshme me jetën, duke i bërë njerëzit më produktivë dhe në të njëjtën kohë më të qetë.
3. Kontakti me natyrën
Finlandezët kanë një lidhje të pazgjidhshme me natyrën. E njohur si “E Drejta e Çdo Njeriu” u lejon atyre të kenë akses në pyje, liqene dhe plazhe pothuajse kudo dhe falas. Aktivitete të tilla si ecja në natyrë, noti, çiklizmi, mbledhja e kërpudhave dhe kampingu janë pjesë e jetës së përditshme. Kontakti me natyrën zvogëlon stresin dhe kontribuon në ekuilibrin mendor, duke rritur ndjenjën e qetësisë dhe lumturisë.
4. Mësim i vazhdueshëm dhe zhvillim personal
Finlandezët inkurajohen të mësojnë vazhdimisht aftësi të reja, qofshin këto hobi të reja, mësime arti apo aktivitete krijuese. Të mësuarit jo vetëm që rrit vetëvlerësimin, por edhe e bën kohën “më të pasur”, pasi jeta e përditshme është e mbushur me interes dhe kreativitet. Anëtarësimi në klube dhe grupe që organizojnë kurse është i përballueshëm dhe lehtëson lidhjen shoqërore.
5. Nivele të larta besimi
Besimi social në Finlandë është ndër më të lartët në botë. Njerëzit mbështeten te njëri-tjetri, mbajnë lidhje të ngushta dhe investojnë në marrëdhëniet e tyre. Ndjenja e përkatësisë në një rrjet shoqëror mbështetës zvogëlon izolimin dhe rrit mirëqenien mendore. Studimet tregojnë se ndjenja e vetmisë është një nga faktorët më të mëdhenj negativë për kënaqësinë në jetë.
6. Shmangin shpërthimet e gëzimit
Në Finlandë, lumturia nuk shoqërohet me emocione të forta apo shpërthime gëzimi. Përkundrazi, ajo është një ndjenjë e qëndrueshme dhe e qetë përmbushjeje dhe kënaqësie me jetën. Finlandezët përqendrohen në gjërat e thjeshta – si një filxhan kafe e mirë, natyra përreth tyre ose besueshmëria e jetës së përditshme – dhe kjo i lejon ata të ndihen vazhdimisht mirë me veten./ Jenny.gr
