
“The Truman Show” shqiptar/ Ekspertia e komunikimit ka një shpjegim pse shqiptarët gozhdohen dy herë në javë pas ekranit
Kushdo që e ka parë filmin “The Truman Show”, realizuar më 1998 në Kanada me regji nga Peter Weir, me siguri nuk i ka shpëtuar një element i rëndësishëm, që edhe pse nuk mban peshë të madhe aktoriale, ka një rol thelbësor për të kuptuar gjithë skemën.
Dy zonja pensioniste që jetojnë sëbashku në një shtëpi, një burrë i vetmuar, kamarieret dhe klientela e një lokali, si dhe dy oficerë roje në një stacion policie, janë njerëzit e përzgjedhur për të qenë audienca e ethshme, e cila e lidh realitetin e vet me jetën e personazhit. Të gjithë zvarriten në përditshmërinë e tyre duke iu përkushtuar dhe duke i dhënë vëmendje një bote artificiale, të trilluar e të gënjeshtërt, por të jetuar nga një njeri i vërtetë.
Pasi Truman Burbanak zgjedh t’i japë fund virtualitetit e të kthehet në botën e panjohur reale, me shprehjen e famshme e të përdorur gjatë gjithë narrativës: “Good morning, and in case I don’t see ya, good afternoon, good evening, and good night!”, filmi mbyllet me përqafimin e të moshuarave, duartrokitjet dhe lotët e kamarieres, zemërimin e burrit të vetmuar, neglizhencën në punë të policëve. Për disa dekada miliona shikues kishin ndjekur nëpërmjet ekranit të vogël të gjitha hapat jetësor të Trumanit, ishin lidhur emocionalisht me të, e kishin printuar në filxhane apo jastekë për ta pasur gjithmonë para syve, madje edhe produktet e konsumit zgjidhnin ato që blinte Truman.
Jo larg kësaj dram- komedie jemi ne në realitetin tonë shqiptar, shpalosur së fundi nëpërmjet një personazhi vip, brenda një reality show si “Big Brother Vip Albania”, ku bizneset bënë reklamë duke përdorur emrin e tij apo ofruan pije falas nëse ishe fans, për të shkuar edhe më tej, zhvillimin e protesatave për të treguar mbështetje për ‘heroin’ që po i shkeleshin të drejtat nga produksioni.
Në fakt, “Big Brother” ka qenë një nga shfaqjet më të shikura në vendin tonë, dhe këtë nuk e tregojnë vetëm statistikat, por e tregojnë reagimet në rrjetet sociale, bisedat e kafeneve, radhët e gjata në supermarkete para fillmit të shfaqjes dhe boshatisja e rrugëve gjatë së martës dhe të shtunës së spektaklit. Madje transmetuesi i këtij spektakli shkoi deri atje sa bëri lajm duke trumbetuar se BBV ka ulur krimin dhe aksidentet në vend, pasi gjatë këtyre dy ditëve të javës nuk ndodh as njëra e as tjetra. Por çfarë është kjo “magjepsje”, ky fenomen nëse mund ta quajmë të tillë dhe pse bëhet joshëse për njerëzit? Ku qëndron çelësi i suksesit të këtyre shfaqjeve, apo e meta e shoqërisë sonë?

Për këtë ka një shpjegim profesoresha e Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, Dr. Irena Myzeqari, e cila i bën një zbërthim të plotë, duke gjetur puzzle-in e parë në vetë natyrën njerëzore.
“Reality show sot cilësohen si ndër formatet kryesore të industrisë së entertainment në massmedia në Shqipëri dhe jo vetëm. Arsyet se pse këto formate janë kaq shumë të ndjekur janë të shumta, por më e rëndësishmja ka të bëjë me natyrën tonë psikologjike për personalizim. Ne na pëlqejnë, na joshin historitë personale dhe në një botë ku njerëzit janë të lidhur në rrjet, por jo në jetën reale, historia e disa karaktereve që shpërfaqen 24 në 24, ofron një stimul social të jashtëzakonshëm ndërveprimi.
Rrjetet sociale duket se e amplifikojnë këtë efekt, duke i bërë të lidhur njerëzit me ngjarjet që ndodhin brenda shtëpisë; TikTok, Instagram, Facebook prodhojnë në këtë mënyrë jehona të shumëfishta, të cilat rrekin edhe vëmendjen e atyre që tentojne t’i shpëtojnë këtij efekti. Pikërisht në këtë konvergjencë të pazakontë mesazhesh, media përdor fuqinë e saj për të kornizuar realitetin dhe orientuar diskurin publik në aspektet dhe ngjyrat që asaj i interesojnë më shumë.
Shumë revoltohen, ankohen se ky realitet është i stisur, ama në fund të ditës, s’kanë alternativë tjetër veçse të bëjnë lojën që media ka nisur dhe të ndikohen, shpesh edhe pa kuptuar, nga nocionet dhe ligjerimet që legjitimohen në ekranin ku nuk fiken kurrë dritat. Yjet e rënë në ekran janë liria për të mos menduar, nevoja për zbavitje pa u lodhur; televizioni duket ta ketë kuptuar këtë varësi tonën nga ekzistenca e tjetrit hero, ndaj thurr, ndreq, shformon realitetin ku karakteret operojnë, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse produkt i atyre që kërkojnë hapësirë mediatike për të ndikuar shijet dhe zgjedhjet tona politike, sociale dhe ekonomike”, thotë Myzeqari.
Historia e Reality TV
Shfaqjet e para të këtij zhanri e kanë zanafillën që në fund të viteve 1940 me “Queen for a Day”. Por shfaqja e parë e tipit realitet erdhi në vitin 1948, me “Camera Candid”, ku njerëzit bëheshin ‘pre’ e kamerave të fshehta dhe reagonin ndaj shakave të ndryshme.
Me vitet edhe shfaqjet u shtuan, duke ardhur në forma të të reja si “An Amerikan Family”, “Nummer 28”, “The Real World”. Pas viteve 1990 deri në 2000 reality TV bëhet i suksesshëm e vjen me shfaqje të tilla si: “Big Brother”, “American Idol”, “Survivor”, “MasterChef”, “Project Runway”, “Dancing With the Stars”, të cilët kthehen në franchaise e qarkullojnë në vende të ndryshme të botës. Në vendin tonë kanë ardhur disa prej këtyre patentave, por suksesin më të madh e ka pasur fillimisht “Kafazi i artë”, e më pas “Big Brother” dhe “Big Brother Vip”.
“Big Brother” u transmetua për herë të parë në Veronica TV në Holandë në vitin 1999. Vetë termi vjen nga romani fantastiko-shkencor i George Orwell, “1984”, botuar në vitin 1949, dhe që eksploron rreziqet e një shoqërie totalitare, ku njerëzit janë të vëzhguar dhe të kontrolluar nga “vëllai i madh”. Ideatori i shfaqjes ishte holandezi John de Mol Jr, i cili së bashku me Joop van den Ende themeluan në 1994 kompaninë e tyre “Endemol”.
Ata sollën edhe shfaqje të tjera, duke përfshirë “The Voice”, “Fear Factor”, “Deal or No Deal”, “Wipeout’, “The Money Drop”, “Your Face” etj. Disa reality show janë transmetuar me vite të tëra, e ndërsa disa janë shuar, shumë të tjerë kanë lindur, duke sjellë sfida nga më të ndryshmet dhe më interesantet./Luiza Pinderi
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply