Rizbulimi i Nina Simone dhe historia pas këngës legjendare “Don’t Let Me Be Misunderstood”

Në ditët me shi, duke lundruar nëpër faqe historish, narrativash, kuriozitetesh të çfarëdollojshme në kompjuter, e kam të pamundur të mos dëgjoj zhurmën nga jashtë. Pikat e shiut, të vrullshme dhe të forta që përplasen në xhama, tokë apo automjete të parkuara, më bëjnë të ndjehem me fat që nuk jam mes tyre. E nga ana tjetër, më bëjnë edhe pak nostalgjike, të cenueshme. Zhurmën e tyre dua ta shoqëroj me tingujt e muzikës. Jo për konkurrencë, por sepse shiu në errësirën e darkës, në praninë e vetes, vjen më i ëmbël me nota muzikore, tinguj të lehtë apo romantikë.

E nisa duke shkruar thjesht rain song në Youtube dhe një mori opsionesh u shfaqën kryeradhë. Shkova me më tipiken, më të dëgjuarën, më romantiken në histori, “Singin’ in the Rain” nga Gene Kelly, për të vijuar nën drejtimin e algoritmit nëpër disa legjenda botërore. Nat King Cole, i panjohur për mua deri në momentin kur pashë filmin “In The Mood for Love” ishte i radhës me “Fascination”. Vijova me disa hite të Frank Sinatrës, si “Somethin’ Stupid”, “Killing me softly”, “Fly me to the moon”, “Strangers In The Night”. E ndërpreva këtë lum romantik me zërin e fuqishëm të Ray Charles dhe “Hit the Road Jack on Saturday”, kur ja papritur, por jo palogjikshëm, më shfaqet e madhja Nina Simone.

Mbaj mend kohë më parë kur e zbulova si këngëtare, u fiksova pas këngëve dhe e i dëgjoja pa pushim, lexoja për jetën e saj të trishtë, legjendare, të dhunshme të ngritjes në karrierë dhe rënies në jetën personale. Sigurisht, pashë edhe filmin biografik “Nina”, realizuar në 2016-ën, i cili më vonë u kontenstua nga trashëgimtarët si për aktoren Zoe Saldana që luajti rolin e pianistes dhe këngëtares amerikane të Jazz-it ashtu edhe për trajtimin e figurës së saj.

Pas ridëgjimit të “Feeling Good”, duke parë mes titujve të dëgjuar dhe të padëgjuar, bëra një zbulim emocionues, kreanar do ta quaja. Në fillim “Don’t Let Me Be Misunderstood” m’u duk e zakonshme, por ndërsa sytë rrinin në një artikull mbi jetën e Olimpias, nënës së Aleksandrit dhe intrigat në Maqedonine e lashtë, vëmendjen ma rrëmbeu gjithnjë e më tepër zëri i Simone. Më erdhi kaq i ndjeshëm, kaq i thellë dhe kaq lutës me vargjet:

Baby, you understand me now?
If sometimes you see that I’m mad
Don’tcha knoë that no one alive can always be an angel?
When everything goes wrong, you see some bad

But oh, I’m just a soul whose intentions are good
Oh Lord, please don’t let me be misunderstood

Dhe pastaj ndodhi kulmi. U bë kaq e qartë dhimbja, pendesa keqardhja, ndjeshmëria me vargjet:

You know sometimes, baby I’m so carefree
Oh, with a joy that’s hard to hide

Momenti më rrëmbeu. Iu dorëzova komplet këngës. E ridëgjova për të disatën herë, dhe siç e kam zakon kur diçka më kuriozon, nisa kërkimin. Zëri në kokë më thoshte se nuk mund të ishte thjesht një tekst këngë. Këto fjalë, ky zë që shkon deri në qelizën më të thellë të ndjeshmërisë, flet për dhimbjen e dikujt. Dhe në fakt, po. Nuk flet për dhimbjen e artistes, pavarësisht se ajo e këndon duke përcjellë në shqiptimin e çdo fjale vuajtjen e saj, jo pak të njohur, historia i përket kompozitorit Horace Ott.

Pas grindjeve me të dashurën Gloria Caldwell, ai u frymëzua të shkruante melodinë dhe refrenin këngës. Për ta plotësuar, ua kaloi bashkëpunëtorëve Bennie Benjamin dhe Sol Marcus, të cilët po punonin në albumin e ardhshëm të Simone-s.

Zëri dhe interpretimi i saj e bëri këtë këngë një klasike, të papërsëritshme dhe të paimitueshme. Teksti erdhi ndër vite me interpretimin e këngëtarëve, grupeve të njohura, me versione të reja dhe zhanre të ndryshme muzikore, por asnjëra nuk krahasohet origjinalin.

Në 1965, një vit më vonë nga publikimi,  The Animals e shndërruan versionin e zymtë të Simone-s në një melodi më komerciale dhe optimiste. Në vitin 1977 grupi Santa Esmeralda publikuan po ashtu një version 10 minutësh, krejt ndryshe nga origjinali, duke bashkuar trombët, kitara, solo flamenko, duartrokitje. Varianti i tyre u përdor në 2003-shin si kolonë zanore nga Quentin Tarantino për të shoqëruar skenën kulminante të luftimeve në filmin “Kill Bill”. Lana del Ray, Lady Gaga apo këngëtarë të tjerë kanë publikuar më vonë cover-at e tyre, por pa arritur të kapërcejnë variantin e 1964. Sepse Nina Simone ishte Nina Simone./LP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *