22 vite i “vetëburgosur” në Spaç/ Gjet Gjoni, rojtari i fundit i kujtesës

“Në fillim hyra për të larguar ata që donin ta shkatërronin. Tashmë është bërë shpirtërore. Nuk dal më prej kësaj.”

Janë këto fjalët e njeriut që më shumë se dy dekada të jetës së vet ia ka kushtuar mirëmbajtjes, njohjes dhe përcjelljes së historisë së burgut të Spaçit. Janë dhjetëra histori, ngjarje, ndodhi, të cilat i ka mësuar ndër vite dhe tashmë i rrëfen për çdo vizitor, turist, sy kureshtar që do të dijë mbi atë që cilësohet si burgu më famëkeq i periudhës së komunizmit. Ka pritur e përcjellë njerëz të ndryshëm, vizitorë të rastësishëm, nxënës e studentë, drejtues, politikanë, e deri në ambasadorë.

Një prej tyre ka qenë ish-ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili në 2014-ën vizitoi burgun dhe familjen e Gjet Gjonit, ku provoi mjaltin dhe rakinë e zonës dhe dëgjoi prej tij historitë e të burgosurve. Në një postim të mëvonshëm për këtë vizitë, jo edhe aq të zakonshme, në fund të detyrës së tij, Arvizu do ta cilësonte si një përvojë që e la të mpirë, plot keqardhje, të trishtë dhe madje të nemitur.

I hapur si burg-kamp në pranverën e 1968-ës, atëherë kur Reparti, apo siç quhej ndryshe Njësia Nr. 303, pasi kishte ndërtuar veprat më të mëdha të socializmit, ndaloi në stacionin e fundit në malet e Mirditës. Jo pa arsye ishte zgjedhur Spaçi. Aty ndodhej miniera e bakrit dhe piritit, ku të dënuarit politikë punonin në kushte primitive, të vështira dhe të pasigurta, për të plotësuar planet e drejtuesve të kohës në nxjerrjen e mineraleve.

“Grupi i punës kishte rreth 600 vetë që punonin 24 orë me tre turne. Vinin, linin rrobat e punës dhe merrnin rrobat e burgut. Vishnin një bluzë të bardhë sepse duhet të dalloheshin natën. Apeloheshin të gjithë këtu në tarracë dhe nëse ndonjë nuk ishte, ose kishte mbetur në minierë, atëherë gjithë burgu dilte në tarracë”, tregon Gjoni duke qëndruar mbi gërmadhën që atëherë ishte tarraca e apelit, poshtë së cilës qëndronin tualetet pa dyer, për çështje sigurie. Dikur e rrethuar me tela, tashmë sheh qartë malin përballë, ku ende gjenden bunkerët që shërbenin si strehimore për ushtarët të cilët vinin për të ruajtur të burgosurit dhe për të mos lejuar arratisjen e tyre.

“Do t’ju them një gjë që ndoshta s’e keni dëgjuar ndonjëherë. Gjithë natën shteti sillte ushtarët, të cilët vendoseshin përballë burgut. Ajo zonë është komplet me bunkerë dhe me kanale. Ushtarët vinin, rrinin tre ditë dhe gjatë stërvitjes sinjali i tyre ishte shkronja U. E nisnin nga i pari dhe prisnin derisa të vinte U-ja e fundit nga ana tjetër e malit. Ky sinjal u vendos pas revoltës”, tregon më tej Gjoni.

Revolta e 1973-it është një nga ngjarjet më të përfolura të Spaçit. Edhe pse duket se nisi rastësisht nga i burgosuri Palë Zefi, duke iu arratisur oficerit nga dhoma e izolimit, vendi ku bëheshin torturat çnjerëzore, revolta mbijetoi vetëm 3 ditë. Mobilizoi shumë prej të burgosurve, të cilët madje ngritën më 21 maj flamurin kombëtar pa simbolin e yllit komunist. Revolta pati një fund të palavdishëm. Gjet Gjoni tregon se ajo u shtyp me ardhjen e atyre që quheshin forcat e briskut dhe u mbyll me vrasjen e katër të burgosurve dhe ridënimin e dhjetëra të tjerëve.

Pavarësisht shkatërrimit dhe degradimit nga koha, godinat e mbetura – komandoja, qendra shëndetësore, dhoma e takimit me familjarët, menza, fjetorja e të burgosurve – qëndrojnë me dhëmbë në shpirt për të dëshmuar të kaluarën dhe për të përmbushur detyrën morale ndaj atyre që vuajtën, lanë rininë, ëndrrat, familjet, e mbi të gjitha ndaj atyre që lanë jetën.

Duke treguar një prej dhomave ku qëndronin të burgosurit politikë, Gjoni thotë se aty qëndronin 55 deri në 60 persona, në krevate me tre kate, dyshekët e të cilëve ishin të mbushur me kashtë dhe byk dhe që zëvendësoheshin çdo vit kur mbaronte sezoni i korrjes së grurit.

“Në qoftë se një i dënuar nuk rregullonte krevatin e vet, hynte në birucë tre ditë. Në qoftë se pinte një cigare brenda dhomës, shkonte për 30 ditë. Të hyje në atë birucë ishte vdekjeprurëse. Prej saj nuk dilje pa tuberkuloz ose ndonjë sëmundje tjetër.”

Edhe pse kapaciteti fillestar ishte për 504 vetë, në burgun e Spaçit u vendosën mbi 1000 të dënuar politikë. Sipas të dhënave, në 23 vite të ekzistencës së kamp-burgut vuajtën dënimin rreth 2200 të dënuar. Në vitet e para ata jetonin në baraka, por pas 1970-ës filloi ndërtimi i godinave nga vetë të burgosurit. Ato kanë qenë vendet e dënimit dhe vuajtjes së shumë personazheve, intelektualëve, fetarëve, artistëve apo shkrimtarëve, si At Zef Pllumbi, Hafiz Sabri Koçi, Ernest Troshani, Maks Velo, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Zyhdi Morava, etj.

Misioni i një jete

Burgu u mbyll përfundimisht në 1991-shin, duke larguar prej tij edhe të burgosurit e fundit ordinerë, veprat e të cilëve nuk kishin lidhje me politikën. 16 vite më vonë, më 5 dhjetor të 2007-ës, burgu i Spaçit u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Prej atëherë nuk është bërë asnjë përpjekje për ta ruajtur, përveç projekteve të ndryshme që kanë krijuar arkiva online, në të cilat dëshmohet e kaluara e atyre viteve.

Në një aktivitet të organizuar nga studentët e Universitetit Europian të Tiranës, më 7 mars, kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi, deklaroi se po diskutohet që këto godina, të cilat janë dëshmi e kohës më të keqe dhe të vuajtjeve më të mëdha, të ruhen dhe të kthehen në muze. “Nëse investohet për to, mund të kthehen edhe në një mundësi ekonomike për zonën dhe njerëzit përreth, por edhe për vetë bashkinë.”

Nuk dihet nëse ndonjë ditë këto plane e projektime do të kthehen në rezultate konkrete, por ka një të vërtetë tjetër të sigurt dhe shumëvjeçare: është përkushtimi i Gjet Gjonit. Ai ndërhyri në ditët më të vështira dhe nuk beson se do të dalë ndonjëherë prej kësaj historie. E bën vullnetarisht, pa u paguar nga askush. Pavarësisht se në 2013-ën Bashkia e Mirditës i premtoi dhënien e një rroge, ajo s’ndodhi kurrë. Gjoni thotë se detyra e tij nuk ka lidhje me paranë dhe as nuk pranon të marrë para prej njerëzve që vijnë ta shohin.

“E kam parë që ishte duke u shkatërruar dhe kam dashur ta mbroj. Vetëm kaq. Nuk paguhem nga kurrkush, jam vullnetar. 22 vjet burg kam bërë tani”, thotë ai me të qeshur.

Historia e Gjonit me burgun e Spaçit fillon në periudhën e komunizmit. Edhe pse 3 km larg burgut, shtëpia e tij ka pritur vazhdimisht familjarët e ish të burgosurve, sepse, siç thotë ai, nuk dënoheshin vetëm ata që ishin në burg, por burgosej gjithë familja. Prindërit dhe të afërmit duhet të bënin orë të tëra rrugë në mal për të shkuar te burgu dhe për t’i takuar ata për 15 minuta. Për shkak të kushteve të vështira, terrenit malor dhe dimrit të ashpër, shpesh qëndronin në familjet në fshatrat rreth e rrotull. Familja e Gjet Gjonit i ka pasur gjithmonë dyert hapur dhe sigurisht historitë që ai ka dëgjuar dhe ka njohur janë të shumta.

Mjaft e njohur për të është historia e Sabri Hafiz Koçiut, ish-myftiu i parë i Shqipërisë. Gjatë burgut ai mësoi profesionin e hidraulikut. Ndërsa punonte në fshatin Shpal me të dënuar të tjerë, u harrua pas punës dhe mbeti aty, ndërkohë që të burgosurit e tjerë u kthyen me kamion në burg. Kur kanë shkuar për ta gjetur dhe rikthyer në burg, ai tashmë e kishte marrë rrugën me këmbët e veta.

“Pse nuk ike te shtëpia, pse nuk u arratise?”, i kanë thënë dhe ai është përgjigjur: “Shtëpia ime është në Spaç, sepse unë jam i dënuar”, tregon Gjoni, duke shtuar se pas kësaj ngjarjeje e kanë lënë të qetë dhe nuk e kanë trajtuar si myslimanët e tjerë, të cilët madje i detyronin të hanin mish derri.

Ndërsa disa vdiqën në minierë, të tjerë u hodhën në tela, shumë u vranë nga oficerët, ata që mbijetuan nga ky tmerr u kapën me mish e me shpirt pas çdo rreze shprese se një ditë ky makth do të kishte një fund. Dikush pas shkrimit, dikush pas poezisë, dikush pas librit, e dikush tjetër pas besimit. Gjet Gjoni tregon se priftërinjtë e burgosur mundoheshin të organizonin, sipas mënyrës së tyre, meshë të fshehtë. “Ma kanë treguar se si njëri prej priftërinjve ruante një copë buke, shtypte një kokërr rrushi që ia sillte familja ose e blinte në dyqanin e vogël dhe i mbanin në gojë. Pa verë dhe pa bukë nuk ngrihet mesha. Përmes këtij rituali të thjeshtë ai bënte lutjen javore.”

Gjatë këtyre dy dekadave, të shumta kanë qenë historitë që kanë ndodhur në sytë e tij. Kujton një të tillë në 2014-ën, ku të motivuar politikisht nga partitë, dy ish të burgosur politikë shpërthyen në sherr dhe dhunë ndaj njëri-tjetrit. “Ka qenë ngjarja më e keqe që kam parë, pas asaj që ndodhi këtu në komunizëm”, shprehet Gjoni.

Thotë se ka shumë histori për të treguar dhe shumë prej atyre që kanë qenë përgjegjës e oficerë ende nuk pranojnë të flasin. Në kontejnerin metalik, të cilin e ka vendosur në hyrje të kampit, Gjoni mban prej vitesh një bllok. E quan “Libri i përshtypjeve” dhe u kërkon vizitorëve të shkruajnë diçka në fund të vizitës së tyre. Pas historive të treguara, mund të të vijnë mijëra fjalë, shprehje, ndjenja për t’i hedhur e për t’i lënë në atë copë letër, por asnjë prej tyre s’do ta përshkruante më mirë atë që William Shakespeare shkruante në dramën “Stuhia”: “Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu”. Sado herezi të duket, kanë qenë, janë e do të jenë gjithmonë këtu./Nga Luiza Pinderi- MAPO

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *