Studiuesit konfirmuan së fundmi se të paktën një specie milingonash ka evoluar në një mënyrë të tillë që jo vetëm të mbijetojë, por edhe të lulëzojë pa punëtorë ose meshkuj.
Temnothorax kinomurai, një specie milingonash endemike në Japoni, është ndryshe nga çdo specie tjetër që njohim. Përbëhet tërësisht nga mbretëresha dhe riprodhohet në mënyrë aseksuale duke krijuar klone të vetes nga vezë të pafertilizuara.
Shkencëtarët e kanë dyshuar këtë metodë riprodhimi për dekada të tëra, por spekulimet e tyre u konfirmuan së fundmi nga një ekip kërkimor japonezo-gjerman, i cili studioi 43 vezë mbretëreshe në kushte laboratorike.
Kjo specie e veçantë riprodhohet nëpërmjet një procesi të quajtur partenogjenezë. Shkencëtarët besojnë se Temnothorax kinomurai rrjedh nga një paraardhës që funksiononte si “pronar skllavi”. Ai u mbështet te speciet e tjera për punë, duke humbur gradualisht punëtorët e vet dhe duke zhvilluar partenogjenezën si një mekanizëm mbijetese.
Si i “pushtojnë” ato kolonitë e tjera
Sipas një studimi të kohëve të fundit, Temnothorax kinomurai mbijeton duke pushtuar kolonitë e një specieje të lidhur ngushtë, Temnothorax makora . Atje, mbretëreshat vrasin mbretëreshën vendase dhe disa nga punëtoret, përdorin popullatën e mbetur për të rritur pasardhësit e tyre.
“Ato paraqesin një formë krejtësisht të re të organizimit shoqëror, duke shtuar një dimension magjepsës në botën tashmë të pasur të milingonave. Kjo specie mund të konsiderohet si faza e fundit në evolucionin e parazitizmit shoqëror, duke theksuar fleksibilitetin e madh në historinë e jetës së insekteve shoqërore”, tha Dr. Jurgen Heinz nga Universiteti i Regensburgut në Gjermani.
