Një juri në Los Anxhelos gjeti këtë të mërkurë përgjegjëse kompanitë e teknologjisë Meta dhe YouTube për krijimin e produkteve që çuan përdoruesit e rinj në sjellje të dëmshme dhe varësie. Dy kompanitë janë shpallur përgjegjës për neglizhencë për dizajnimin e qëllimshëm të produkteve problematike që tërhoqën vëmendjen e një përdorueseje të re dhe çuan në dëmtimin e saj, e njëkohësisht përgjegjëse për mosparalajmërim.
Juria, të cilës iu deshën gati nëntë ditë diskutimesh për të arritur në vendimin, u dha paditësve në këtë rast dëmshpërblim prej 3 milionë dollarësh.
Gjatë gjyqit anëtarët e jurisë dëgjuan drejtuesit e lartë të Meta dhe YouTube, denoncuesit e të dhënave, dëshmitarët ekspertë mbi mediat sociale dhe varësinë, si dhe një grua 20-vjeçare në qendër të padisë, e cila është njohur me inicialet KGM për procedurat gjyqësore.
Ajo dëshmoi se u bë e varur nga YouTube në moshën gjashtë vjeç dhe nga Instagram në moshën nëntë vjeç, të cilat sipas saj kishin efekte të dëmshme në mirëqenien e saj. Në moshën 10 vjeç, tha ajo, kishte rënë në depresion dhe si pasojë po kryente vetëlëndime. Përdorimi i mediave sociale dyshohet se i shkaktoi marrëdhënie të tendosura me familjen dhe në shkollë. Kur ishte 13 vjeç, terapisti i KGM e diagnostikoi me çrregullim dismorfik trupor dhe fobi sociale, të cilat KGM ia atribuon përdorimit të Instagram dhe YouTube nga ana e saj, shkruan The Guardian.
“Si mundet një fëmijë të mos e lëshojë kurrë telefonin? Kjo quhet inxhinieri e varësisë. Ata e sajuan, i vendosën këto veçori në telefona”, tha Mark Lanier, avokati i KGM gjatë argumenteve përmbyllëse javën e kaluar. “Këta janë kuaj trojanë: duken të mrekullueshëm dhe të shkëlqyer… por i fton brenda dhe ata marrin kontrollin.”
Avokatët e KGM thonë se përvoja e saj është emblematike për atë që dhjetëra mijëra të rinj kanë përballuar në mediat sociale dhe në jetën e tyre jashtë linje.
“Vendimi i sotëm është një moment historik – për [KGM] dhe për mijëra fëmijë e familje që kanë pritur këtë ditë”, thanë avokatët në një deklaratë me shkrim të mërkurën.
Vendimi i jurisë vjen vetëm një ditë pasi Meta u urdhërua të paguante 375 milionë dollarë gjoba civile në një padi të veçantë në New Mexico. Në atë rast, juria zbuloi se kompania i kishte mashtruar konsumatorët në lidhje me sigurinë e platformave të saj dhe kishte mundësuar dëmtim, përfshirë shfrytëzimin seksual të fëmijëve, kundër përdoruesve të saj. Vendimet e njëpasnjëshme janë të parat që e gjejnë Metën përgjegjëse ose neglizhente për aktet e kryera në platformën e saj.
Meta ka thënë se do të apelojë vendimin në New Mexico. Në rastin e Kalifornisë, një zëdhënës i Metës tha: “Ne me respekt nuk pajtohemi me vendimin dhe po vlerësojmë mundësitë tona ligjore.” YouTube nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Të dyja kompanitë kanë mohuar vazhdimisht çdo shkelje. Një zëdhënës i YouTube, José Castañeda, i ka quajtur akuzat e ngritura “thjesht të pavërteta” dhe tha se ofrimi i një “përvoje më të sigurt dhe më të shëndetshme për të rinjtë ka qenë gjithmonë thelbësore për punën tonë”.
Një zëdhënës i Metës ka thënë më parë në deklarata për Guardian se problemet e shëndetit mendor të KGM-së ishin shkaktuar nga një jetë e vështirë në shtëpi dhe përdorimi i mediave sociale nuk ishte për t’u fajësuar. “Të dhënat e saj tregojnë abuzim të konsiderueshëm emocional dhe fizik, vështirësi akademike dhe gjendje psikiatrike, të ndara nga përdorimi i saj i mediave sociale”, tha zëdhënësi.
Ky gjyq është i pari në një grup të konsoliduar çështjesh të ngritura në Kaliforni kundër Meta-s, TikTok-ut, YouTube-it dhe Snap-it në emër të më shumë se 1,600 paditësve, duke përfshirë më shumë se 350 familje dhe 250 distrikte shkollore. TikTok dhe Snap e zgjidhën padinë e KGM-së pak para gjyqit.
Rasti i KGM është gjithashtu i pari nga më shumë se 20 raste, të cilat janë planifikuar të shkojnë në gjykatë gjatë dy viteve të ardhshme dhe përdoren për të vlerësuar reagimet e jurive, si dhe për të vendosur precedent ligjor. Rasti tjetër është planifikuar të shkojë në gjyq në korrik. Një seri e veçantë padish federale me qindra paditës që bëjnë akuza të ngjashme është planifikuar të fillojë gjykimin në San Francisko në qershor.
