A është fytyra superfuqia jonë? Maxwell Maltz dhe ndikimi i self-image

Imagjinoni të zgjoheni një ditë si David Aames, personazhi i luajtur nga Tom Cruise në filmin “Sky Vanilla”. Filmi i vitit 2001 është i njohur jo vetëm për shkak të kastit të njohur të aktorëve, me Penelope Cruz dhe Cameron Diaz. Ai ka një nga episodet që ka kushtuar më shtrenjtë në historinë e kinemasë. Times Square  u mbyll për tre orë për qytetarët, për të xhiruar një skenë disa sekëondëshe me Tom Cruise. Xhirimet zgjatën vetëm disa minuta, por u deshën muaj planifikimi, koordinim policor dhe miliona dollarë për ta realizuar.

Gjithsesi, rikthehemi te subjekti i filmit.

Ai trajton ankthin e një të riu të pasur, fytyra e cilit u shpërfytyrua pas një aksidenti. David bën çmos për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme, për të qenë aq i bukur dhe i adhuruar. Në fakt, “Sky Vanilla” nuk është një subjekt origjinal. Ai u përshtat nga varianti spanjoll i 1997-ës, “Open Your Eyes”. Subjekti është i njëjtë në vija të përgjithshme, por çezar, personazhi kryesor i luajtur nga Eduardo Noriega vjen më dramatik dhe më i errët në variantin spanjoll. Në të dy filmat, personazhi zhvillon një luftë psikologjike për të rikthyer fytyrën e tij, në mënyrë që të pranohet nga shoqëria.

Po a është në fakt fytyra, bukuria, të qenit tërheqës, ajo që na bën ata që jemi? A na bën fytyra të pranuar dhe të suksessëshm?

Kirurgu amerikan Maxwell Maltz thoshte jo: Nuk është pamja ajo që përcakton suksesin tonë. Eshtë imazhi që ne krijojmë për veten, që dikton suksesin tonë në jetë.  Sipas tij imazhi për veten është baza apo themeli në të cilin ndërtohet i gjithë personaliteti, sjellja dhe rrethanat jetësore të çdo individi. Në librin e tij të njohur “Psycho-Cybernetics” botuar në vitet 1960 kirurgu bën një krahasim të trurit të njeriut me kompjuterat, për të ilustruar se jemi ne që i injektojmë vetes suksesin ose dështimin, në varësi të të dhënave që regjistrojmë, në mënyrë të vetëdijshme ose jo. Nëse mbajmë afër traumat dhe dëshmtimet e së kaluarës, ne gjithmonë e orientojmë veten drejt dështimit, sepse ky është imazhi që kemi ndërtuar për veten: një njeri që nuk ka pasur sukses.

Në librin “Psycho-Cybernetics”, Maxwell Maltz shkruan: “Imazhi ynë për veten përcakton kufijtë për arritjen e çdo qëllimi të veçantë. Imazhi përcakton “zonën e së mundshmes”.  Mekanizmi ynë Krijues punon mbi informacionin dhe të dhënat që ne i ushqejmë atij (mendimet, besimet, interpretimet tona).

Njeriu, thoshte Maltz, ka diçka që kafshët nuk e kanë – Imagjinatën Krijuese. Kështu, njeriu nga të gjitha krijesat është më shumë se një krijesë, ai është edhe një krijues. Me imagjinatën e tij ai mund të formulojë një sërë qëllimesh. Vetëm njeriu mund ta drejtojë Mekanizmin e tij të Suksesit duke përdorur imagjinatën ose aftësinë e imazhit.

“Psycho-Cybernetics” u bë menjëherë një bestseller dhe e bëri Dr. Maltz një nga folësit motivues më të kërkuar gjatë viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970. Dr. Maltz vazhdoi të grumbullonte histori, të jepte seminare, të shaqej në transmetime radiofonike. Ai botoi mbi një duzinë librash, në të gjitha duke aplikuar Psiko-Kibernetikën për të gjetur suksesin në biznes, në atletike e deri te përmirësimi i jetës seksuale.

Piktori i njohur spanjoll, Salvador Dali u ndikua thellësisht nga libri i Maxwell Maltz. I mahnitur nga filozofia e tij, ai pikturoi veprën “Errësira dhe Drita”  në vitin 1966 dhe ia dhuroi Maltz-it. Kjo pikturë paraqet mendjen njerëzore që lundron drejt suksesit (i simbolizuar nga një anije) përmes kontrollit personal, mendor, duke kapërcyer “errësirën”.

Kirurgu plastik që bë mentor vetëzhvillimi

Përpara se të shkruante për psikologjinë dhe vetëzhvillimin, Maltz ishte një kirurg shumë i suksesshëm. I lindur në Nju Jork në vitin 1889, ai mori një diplomë Bachelor në vitin 1917 dhe më tej një diplomë MD (Doktor i Mjekësisë) në vitin 1923. Vendosi të shkonte në Gjermani për t’u bërë kirurg plastik. Me kthimin në Shtetet e Bashkuara, filloi praktikën në Spitalin Beth Israel. Realizoi qindra ndërhyrje kozmetike, dhe ndryshoi dhjetëra fytyra njerëzish, të cilët mendonin se jeta e tyre ishte një katastrofë për shkak të pamjes. Duke regjistruar rastet, ai shkroi shumë artikuj në revista të ndryshme mjekësore mbi aspekte të kirurgjisë plastike. Famën e mori me librin e tij të parë,“Fytyra të reja- E ardhme e re”.

Nga praktika e përditshme e punës, ai vuri re një fakt mjaft interesant. Bisturia nuk ndryshoi vetëm pamjen, por ndryshoi sjelljen e shumë njerëzve. Mjafton të kujtoni këtu filmin japonez “The Face of Another”, për të kuptuar se çfarë mund t’i bëjë psikologjisë një fytyrë e re, e aq më tepër një identitet i ri dhe i panjohur për të tjerët.

Maltz shkruan:“Rast pas rasti, bisturia që mbaja në dorë u bë një shkop magjik që jo vetëm transformoi pamjen e pacientit, por transformoi tërë jetën e tij. I turpshmi dhe i tërhequri u bë i guximshëm. Një shitës që kishte humbur besimin në vetvete u bë model i vetëbesimit. Dhe ndoshta më i habitshmi nga të gjithë ishte krimineli i zakonshëm “i ashpër” që ndryshoi pothuajse brenda natës nga një i pakorrigjueshëm në një të burgosur model që fitoi një lirim me kusht dhe vazhdoi të merrte një rol të përgjegjshëm në shoqëri.”

Pikërisht këto vëzhgime e çuan kirurgun në një karrierë të re. Ai u bind se njerëzit që shkojnë te një kirurg plastik kanë nevojë për më shumë sesa thjesht kirurgji dhe se disa prej tyre nuk kanë nevojë fare për kirurgji. Sipas tij, këta njerëz dëshirojnë më shumë jetë të cilën e gjejnë përmes emocioneve të forta të lumturisë, paqes mendore, vetëbesimit dhe suksesit. Në momentin që ata humbasin vetëbesimin dhe krijojnë një imazh negativ për veten, ata pegojnë aftësitë dhe talentet e tyre. Për pasojë vuajnë nga ankthi, frika, vetëdënimi dhe vetëurrejtja.

Maxwell Maltz thoshte se zbulimi i “imazhit për veten ishte zbulimi më i rëndësishëm psikologjik i shekullit XX”. Pavarësisht nëse e kuptojmë apo jo, secili prej nesh mbart me vete një plan mendor ose një imazh të vetes. Mund të jetë i paqartë dhe i papërcaktuar mirë për shikimin tonë të vetëdijshëm. Por mund të jetë edhe i panjohur në mënyrë të vetëdijshme. Por është aty, i plotë deri në detajet e fundit. Ky imazh për veten është koncepti ynë për “llojin e personit që jam”.

Sipas tij, sekreti për të “jetuar” vërtet dhe për ta gjetur jetën “të kënaqshme”, duhet të keni një imazh të përshtatshëm dhe realist me të cilin mund të jetoni. Duhet ta gjeni veten tuaj të pranueshme për “veten”. Duhet të keni një vetëvlerësim të shëndetshëm. /HENZA NEWS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *