Kush e ka parë filmin “Forrest Gump” dhe nuk ka qarë!
Në portretizimin e bërë nga Tom Hanks nuk gjen asnjë gjë të mangët. Madje, ky rol i dha atij çmimin e dytë Oscar për Aktorin më të Mirë, pas “Philadelphia”.
Komedia-dramë e 1994-ës tregon jetën e Forrest Gump, një njeri i thjeshtë me një IQ të ulët, por me qëllime të mira, i cili e kalon fëmijërinë me shoqen e tij më të mirë dhe të vetme, Jenny-n.
Përmes jetës së Forrest dëshmohet historia e Amerikës nga vitet 1950 deri në vitet 1980. Ai takon Elvis Presley-n, JFK-në dhe Nixonin, shërben në Vietnam, dëshmon skandalin e Watergate-it, duke ruajtur një perspektivë të thjeshtë dhe të sinqertë.
Por nga ana tjetër, filmi eksploron ndjenjat njerëzore, përmes dashurisë së palëkundur të Forrest për Jenny-n dhe miqësitë e tij me komandantin Lt. Dan Taylor apo shokun e ushtrisë, Bubba Blue. I njohur për thënine e famshme “Jeta është si një kuti me çokollata”, filmi thekson se si mirësia dhe këmbëngulja mund të çojnë në një jetë kuptimplotë.

Bazuar në romanin e vitit 1986 me të njëjtin emër nga Winston Groom, Forrest Gump u shndërrua shumë shpejt në një sukses dhe u shpërblye me gjashtë çmime Oscar. Pas filmit, edhe libri pati një jehonë të gjerë, me mbi 1.7 milionë kopje të shitura në mbarë botën.
Autori Winston Groom u frymëzua nga një histori e vërtetë
Personazhi i Forrestit u frymëzua nga historitë që i tregoi babai i Groom për një fqinj të fëmijërisë në Alabama, i cili ishte me aftësi të kufizuara intelektuale, por zotëronte talente unike. Më tej, përmes një emisioni televiziv, ai u njoh me sindromën savant dhe imagjinoi një personazh i cili, pavarësisht një IQ të ulët, ishte “plot mençuri” dhe i aftë të shkëlqente në detyra specifike (si futbolli, ping-pongu dhe matematika) ndërsa lundronte nëpër ngjarje të mëdha historike. Ai e shkroi romanin vetëm në gjashtë javë

Tom Hanks nuk ishte zgjedhja e parë për rolin
Duket e vështirë, ndoshta e pamundur të imagjinohet dikush tjetër përveç Tom Hanks në rolin e Forrest Gump, por romancieri Winston Groom kishte plane të tjera. Ai mendoi aktorin John Goodman në rolin kryesor (kjo ndoshta dhe për faktin se në roman, Forrest është 1.88 m i gjatë dhe peshon 100 kg). Regjisori Robert Zemeckis donte Bill Paxton, të cilin studiot e refuzuan pasi nuk ishte mjaft i njohur, ndërsa Harry Anderson nuk ishte i disponueshëm për shkak se ishte i lidhur me një serial televiziv. Thuhet se Bill Murray, Chevy Chase dhe John Travolta e kanë refuzuar gjithashtu rolin.
Ai shkroi një nga replikat më të paharrueshme
Kur Bubba i thotë Forrestit, “Emri im është Benjamin Buford Blue, por njerëzit më quajnë ‘Bubba’”, Hanks e anashkaloi skenarin dhe tha, “Emri im është Forrest Gump. Njerëzit më quajnë ‘Forrest Gump’”. Regjisori Zemeckis e pëlqeu shumë, e mbajti në film dhe pjesa tjetër është histori e citueshme.
Vajza e tij ishte gjithashtu në film
Kujtohuni për një vajzë të vrazhdë flokëkuqe në skenën e autobusit, kur Forresti i vogël nuk gjen dot një vend për t’u ulur (derisa Jenny e fton të ulet pranë saj). Ajo është vajza e Hanksit, Elizabeth. E po ashtu, një nga djemtë e vegjël që nuk e lejon Forrestin e vogël të ulet pranë tij, është djali i Robert Zemeckis, Alexander.

