Salma Hayek është protagonistja e filmit të ri të Angelina Jolie, “Without Blood”, një dramë e fortë që eksploron hakmarrjen, luftën, traumën dhe mënyrën se si njeriu përpiqet të shërohet pas përvojave të dhimbshme. Traileri i publikuar së fundmi jep një ide për atmosferën e r filmit dhe për performancën e Hayek në rolin e Nina-s.
Përkrah aktores së nominuar për Oscar shfaqet edhe aktori i nominuar për Oscar, Demian Bichir. Në trailer, Hayek, në rolin e një gruaje të përndjekur nga e kaluara, thotë:
“Hakmarrja është droga që na lejon të luftojmë.”
Filmi është shkruar dhe, po ashtu, ka si regjisore Angelina Jolie-n, teksa bazohet në romanin bestseller me të njëjtin emër të Alessandro Baricco. Historia zhvillohet pas përfundimit të një konflikti dhe ndjek Nina-n, e cila përfshihet në një plan hakmarrjeje të ndërtuar përgjatë shumë vitesh, pas vrasjes brutale të familjes së saj.
Salma Hayek nuk donte ta merrte rolin
Pavarësisht se sa i rëndësishëm ishte projekti, Hayek ka pranuar se fillimisht nuk donte të luante në film. “Nuk doja ta bëja filmin. Nuk doja të isha Nina”, ka rrëfyer më herët aktorja. Ajo shpjegoi se nuk dëshironte të hynte emocionalisht në vendet ku ndodhej personazhi dhe se roli ishte tepër i dhimbshëm për të.
Hayek tregoi se i kishte thënë Jolie-t se nuk donte ta interpretonte këtë grua, pasi i ishte dashur shumë kohë për të arritur në një pikë të jetës ku ndihej vërtet e lumtur dhe nuk dëshironte të kalonte javë të tëra duke vuajtur emocionalisht për një rol.
Megjithatë, pas shumë bisedash, Jolie arriti ta bindte. Sipas Hayek, roli kërkonte një angazhim ekstrem, pasi personazhi nuk kishte shumë mundësi për t’u “fshehur” pas aksionit apo efekteve.
“Duhet të jesh në limitet e tua çdo ditë, çdo orë të ditës, ndërsa luan këtë personazh. Nuk ka ku të fshihesh. Nuk ka shumë aksion. Nëse për një sekondë nuk je vërtet aty, kjo do të duket menjëherë”, është shprehur ajo.
Një histori që prek traumat e grave
Hayek ka treguar gjithashtu se kishte frikë se roli mund t’i rikthente në sipërfaqe disa trauma personale, edhe pse përvojat e saj janë krejtësisht të ndryshme nga ato të personazhit.
Ajo beson se shumë gra mund të gjejnë diçka nga përvojat e tyre te historia e Nina-s: ndjesinë e të qenit të anashkaluara, humbjen e kontrollit mbi vendimet e jetës, momentet kur fuqia u merret që në moshë të hershme dhe vështirësinë për të dalë nga trauma.
Në historinë e Nina-s, dhimbja shndërrohet gradualisht në urrejtje dhe zemërim, të cilat bëhen burimi i saj i fuqisë. Pikërisht ky transformim emocional është një prej elementeve kryesore të filmit.
“Without Blood” është filmi i gjashtë me regji nga Angelina Jolie dhe projekti i saj i parë regjisorial pas “First They Killed My Father” të vitit 2017.
Hayek, e cila ka punuar me disa prej regjisorëve më të njohur të industrisë së filmit, nuk kurseu lavdërimet për Jolie-n, duke e cilësuar “regjisoren më të mirë me të cilën kam punuar ndonjëherë”.
Aktorja tregoi se ndihej jashtëzakonisht e vlerësuar gjatë punës me të dhe se Jolie kishte besuar te aftësitë e saj edhe në momentet kur vetë Hayek nuk ishte e sigurt se mund ta përballonte rolin.
Në fund, duket se besimi i Jolie-t ishte vendimtar për ta bindur Hayek të përballej me një prej roleve më të vështira emocionalisht të karrierës së saj.
