
Asgjë nuk vlen më shumë se paraja!
Doni të dini sa vleni? Ndoshta per këtë jeni menduar gjatë. Shpesh iu është dashur edhe të meditoni. Të uleni diku të merrni një laps dhe letër dhe të nxirrni cilësitë tuaja, eksperiencat, trajnimet dhe edukimet. Ndoshta ndonjëherë keni marrë mundimin dhe jeni përpjekur të kujtoni fjalët që ju kanë thënë të tjerët, lavdet, përshtypjet, mendimet.
E herë të tjera jeni përpjekur të zbuloni misionin tuaj, duke i thënë vetes se ju vleni shumë. Se jeni një njeri i mirë, i dashur, i zgjuar, i përkushtuar. Se ju jeni një njeri pozitiv, optimist, i angazhuar, i kuptueshëm. Se ju jeni dashamirës, joegoist, human dhe i palodhur. Se nuk mund t’i bëni keq njeriu, se do ndihmoni çdokënd që gjendet në vështirësi, se do bëni maksimumin për t’ju qëndruar të tjerëve pranë. A mjafton?
I ke të gjitha këto dhe çfarë? Do të ushqehesh çdo mëngjes me shqetësimet, çdo drekë me kërkesat e të tjerëve dhe çdo darkë me falenderimet e tyre?
Po mund ta bësh edhe këtë. Nëse ke ndonjë llogari bankare të mbushur, ndonjë pulë që të sjell çdo ditë ndonjë vezë të artë, apo ndonjë biznes, ku të tjerët punojnë për ty.
Nëse nuk i ke këto, zgjohu! Asgjë nga këto nuk mjafton për t’ia dalë. Asgjë nga këto nuk mund të bëhet, nuk është e realizueshme. Të duhen mjete për t’i bërë. Të duhen para për të investuar. Çfarë mund t’i bësh një të sëmuri, kur nuk je në gjendje që t’i blesh ilaçet? Çfarë mund t’i bësh një të varfëri, kur nuk je në gjendje t’i çosh një vakt ushqim? Çfarë mund t’i bësh një të zhveshuri, kur nuk je në gjendje t’i çosh një palë rroba?
A mjafton vetëm dëshira? Nuk mjafton. Kur nuk mundesh, dëshira jote kthehet në brengë. Ti e kupton që nuk ke fuqi, nuk ke opsione, nuk ke alternative, nuk ke mjete. Ti e kupton pamundësinë tënde.
Kështu që për t’i bërë këto, nuk mjafton brendia jote. Atë mbaje, ruaje brenda vetes, si gjënë më të mirë. Si gjënë që nuk ka çmim, as vlerë, as zëvendësim. Si gjënë që të identifikon, të dallon, të çon drejt vlerës. Sepse vlera jote e vërtetë qëndron te veprimi. Te ajo që mund të bësh. Te ajo që mund të japësh. Vlera jote qëndron te paraja. Vetëm paraja sjell veprim dhe ndryshimin.
A e dini pse? Sepse të gjithë vijnë pas saj. Të gjithë do ju respektojnë vetëm sepse e keni atë. Të gjithë do ju ndjekin, jo sepse ju duan ju, por sepse duan paranë tuaj. Nëse ti ende nuk e ke shitur shpirtin tënd, atëherë është moment i duhur për të sjellë ndryshimin.
Nëse ke para, e ke më të lehtë t’i bindësh njerëzit. E ke më të lehtë t’iu tregosh rrugën, t’iu tregosh drejtimin. E ke më të lehtë t’i bashkosh dhe t’i sensibilizosh. Sepse kur ke para, ata mendojnë se je më i drejtë, më i zgjuar, më i bukur. Sepse kur ke para, ata të shohin me të gjitha ngjyrat e tyre, me të njëjtën dobishëmri dhe vlerë që ka ajo. Poshtë ndryshimit janë paratë dhe poshtë parave, është zemra jote, por atë sdo ta shohë dhe kuptojë dot askush.
Kështu që bëhu i fortë sa të kesh para dhe tregohu pastaj se vlera e gjithçkaje nuk është paraja. Tregoju, se përtej të gjithave është njeriu. Por si fillim, ji njeri me para!
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply