
Botique LAS, një hotel i lindur nga dashuria
Çfarë është dashuria? “Romeo dhe Zhuljeta” e Shekspirit, “Madama Buterfly” e Xhakomo Puçint, apo Taxh Mahali i perandorit Shah Jahan? Dashuria është Botique LAS, hoteli që mban emrin e dashurisë mes Arben dhe Lura Subashit. 30 vjet më parë ata lidhën shpirtrat, ndërtuan ëndrrat, bashkuan emrat dhe krijuan logon e tyre të dashurisë. “Çdo gjë që kemi bërë në jetë është LAS”, thotë Lura.
E në fakt, çdo gjë, nga dera e jashtme, rrugica me palma, kopshti me lule e fruta, e deri te dhoma në katin e fundit në këtë hotel, përmban pluhurin magjik të dashurisë.
Për mua ishte vendi më i veçantë, më qetësues, më dashamirës, më artistik që kam parë. E do të ishte egoizëm po të mos e ndaja me ju.
Hotel Botique LAS ndodhet në rrugën ‘Liman Kaba’, e baraslarguara nga të gjitha veprat kryesore të kryeqytetit. Nga vetë emri, Botique, ai nuk është një konkurrues me qiellin. Ai është një ambient rezidencial, luksoz, por jo deri në velje, i qetë, por jo i shurdhët, i rehatshëm, por jo monoton.
Për 15 vjet ka qenë banesa e ambasadorit çek, deri në vitin 2013, kur Arbeni dhe Lura u kthyen në Shqipëri. Ata nuk e lëshuan më me qera, por vendosën të krijonin aty shtëpinë e tyre dhe jo vetëm. Hotel Botique LAS është shtëpia e shumë turistëve, nga vende të ndryshme të Evropës, Azisë, Amerikës, apo Afrikës, që e gjejnë nëpërmjet booking.com. E pasi e vizitojnë, lënë përshtypjet më të mira, duke e renditur për të disatin vit radhazi, në hotelin më të mirë të Tiranës.
Për Arben Subashin, ky nuk është vetëm marrja e një vlerësimi për të, por krijimi i një mendimi të mirë për Shqipërinë.
“Puna që bëjnë hotelet është një punë për t’u evidentuar dhe lavdëruar. Çdo hotel është një ambasador i vogël i Shqipërisë, sepse njerëzit kur vijnë këtu, ballafaqohen me mua, me personelin tim, ballafaqohen me investimin tim, me seriozitetin tim dhe sesi menaxhoj. Hotelet janë fytyra e Tiranës”, thotë ai, teksa shton se duhet të ketë më shumë organizime dhe aktivitete argëtuese në kryeqytet, për të tërhequr turistët.
Hotel Botique LAS është hoteli i historive. Mjafton të shikosh librin e përshkrimeve, të lexosh përshtypjet e njerëzve që e kanë vizituar, e shkruar në gjuhët e të gjithë botës. Çdo gërmë tregon historinë e një profesori, një futbollisti, e një këngëtari, muzikanti, poeti apo një vajze ëndërrimtare. Mjafton të shohësh objektet e tyre të lëna si kujtim, e do të shëtisësh në disa kultura njëkohësisht, thjesht duke qëndruar para recepsionit, e duke pritur dhomën tënde.
Mjafton të shikosh mobiljet, disa të hershme ndër shekuj, me ngjyrën dhe stilin e asaj kohe, e të tjera moderne, me shkëlqimin e kohës dhe çrregullsinë e modernizmit. Të vendosura në një shkrirje harmonike, mes ngjyrave që të ftojnë, bezhë, gold, kafe, vishnje, e bardhë, shkrirë e ndarë aty ku duhet.
Kudo ndjehet shija e hollë dhe mendimi unik i Arbenit, e skalitur në çdo detaj, nga pishina në formë pianoje, nga pllakat e gurit, përzgjedhja e mermerit, e mobilieve italiane e arredimeve që nuk janë njëlloj në 11 dhomat e hotelit, ndërsa muret mbajnë pikturat e Lurës. Një hotel i vogël me personalitet të lartë, i cili ka një sekret të fuqishëm.
“Ky është ambient rezidencial dhe ne kemi shumë kontakt me klientët. Iu ofrojmë privaci, miqësi, iu japim më shumë informacione për gjërat që duan të vizitojnë. Ky është investimi më i rëndësishëm që kemi bërë ne, investimi njerëzor, pasi investim me tulla dhe llaç bëjnë të gjithë”, thotë Arben Subashi, teksa shton se kjo është gjëja që nuk kuptojnë investuesit në jug dhe që investimin njerëzor e kanë zero.
Përveç kujdesit, familjaritetit, rehatisë Botique LAS ofron parking, ëi fi, pishina, paketën e pastërtisë si dhe një pije në bar, shumë cilësore dhe gjithmonë falas.
Nga ana tjetër, ai është një vend dashamirës ndaj muzikës klasike, një ambient i festave, koncerteve dhe darkave miqësore. Nuk është vetëm i zoti i shtëpisë, i rritur mes muzikës, që luan për të pranishmit. Shpesh herë janë edhe turistët ata që luajnë në piano e kitarë, e lënë veglat e tyre muzikore për t’i gjetur aty çdo herë që kthehen.
Arbeni dhe Lura thonë se shqiptarët nuk e kanë si kulturë të përdorin hotelet. Janë miqtë e tyre që edhe pse jetojnë në Tiranë, zgjedhin të kalojnë fundjava të qeta e të këndshme në shtëpinë LAS. Pavarësisht kësaj, në pikun e turizmit, hoteli i tyre mbushet plot dhe detyrohet t’i kthejë pas turistët. Por tashmë e kanë një plan për ta rregulluar këtë, duke shtuar numrin e kateve. “Por nuk do të ndryshojmë pamjen e jashtme dhe emrin tonë që rri aq bukur mbi të”, thotë Lura.
E në fakt, si mund të ndryshohet ai kopsht i ndërtuar me aq dashuri, që çdo stinë e bën më të veçantë e më të bukur se sa është? Dimri bëhet më i lehtë, mes aromës së tokës dhe bimëve të lagura nga uji. Vjeshta bëhet më e verdhë, e më shumëngjyrëshe. Pranvera dhe vera është e luleve, e trëndafilave, e aromave më të veçanta mondane.
Të katërta stinët janë të kanarinave, zogjve të mirëseardhur dhe cicërimave të tyre që largojnë çdo zhurmë të padëshirueshme e sjellin paqen. Pa frikë aty mund të rrish me orë të tëra, e nuk do e ndjesh asnjë lodhje, teksa zbulon çdo lloj peme, bari, arome. “Jemi të dashuruar lulet dhe zogjtë”, thonë Lura dhe Arbeni.
E në fakt dashuria është kudo aty, në mirëpritjen, butësinë dhe bukurinë e tyre dhe të çdo gjëje që i rrethon. Kështu që mos kërkoni një LAS të dytë. Ju e dini që shpirti është unik dhe i papërsëritshëm./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply