
Evgjenia e Gjirokastrës, gjuetarja e tartufit, ‘diamantit të kuzhinës’
Keni dëgjuar të flitet shpesh për arin e zi (naftën). Tek tuk mund t’ua ketë zënë veshi edhe fjalën ari i kuq (shafrani). Por rrallë herë keni dëgjuar për diamantin e kuzhinës. Po, sepse është i shtrenjtë si një diamant. Italianët e quajnë kështu, por ne e quajmë vetëm tartuf.
Si të gjitha gjërat me vlerë, edhe tartufi vjen nga dheu. Ai është një lloj kërpudhe, që rritet nëntokë, atje ku ka pemë, pisha, lisa, lajthi, shelgje apo dushk. Nuk e sheh dritën e diellit, nuk ka as gjethe e kërcenj. Është thjesht një zhardhok që ushqehet nga rrënjët e pemëve.
Quhet diamanti i kuzhinës pasi ka vlera të larta ushqimore. Ka një aromë karakteristike, ndihmon tretjen, përmban magnez e kalcium. I varfër me vitamina, por shumë i pasur me proteina, ia kalon edhe mishit. Ka veti antioksiduese dhe elastizuese për indet. Disa e quajnë edhe molekula e lumturisë për shkak të efektevë qetësuese, e të tjerë e kanë cilësuar si viagra natyrale.
Por pavarësisht të gjithave, në Shqipëri është kthyer në punë. Janë të paktë ata që merren me gjuetinë e zhardhokut, por ajo është një. Evgjeni Pano është e vetmja grua në Shqipëri që gjuan tartuf. Bashkë me burrin e kanë kthyer në një mjet jetese.
Ajo prej Fieri, e ai prej Gjirokastre. U takuan në Kretë, u martuan para 7 vjetësh dhe sot kanë një djalë. 5 vjet më parë vendosën të ktheheshin në Gjirokastër e të gjuanin tartuf. Evgjeni tregon se si lindi ideja e kësaj nisme gati aventuriereske, por që rezultoi e suksesshme.
“Ishte ideja e bashkëshortit. Kishte parë në Greqi një dokumentar për gjuetinë e tartufit, ku e mblidhnin me derra, pasi ata kanë nuhatjen më të fortë për tartuf. Në atë kohë nuk ishin stërvitur ende qentë. Aty tregohej se ku gjendej, në cilat pemë dhe në çfarë dheu. Im shoq ishte 1000% i sigurt se në fshatin e tij kishte tartuf. Në fillim qeshnim me të, ndërsa ai thoshte “do më kujtoni një ditë”. Pastaj kërkova vetë në internet dhe mu duk shumë interesante si punë. Fillova të ndiqja disa seminare. U informova për llojet e tartufit. Por kur mësova çmimet marramendëse, nuk e mendova gjatë, vendosa ta nisnim këtë pune”.
Evgjeni tregon se gjëja e parë që bënë, ishte blerja e qenit. U kushtoi 3500 euro, sepse qentë e racës lagoto nuk janë të zakonshëm. Ata janë të stërvitur për gjetjen e tartufit dhe kërkojnë trajtim të mirë.
“Qenin e parë e blemë në Itali. Ndërsa qenin e dytë e stërvitëm vetë. Qentë lagoto janë qenë të urtë dhe të bindur. Sa herë që gjejnë tartuf duhet t’i ushqesh dhe t’i lavdërosh. Nuk duan kafshë të tjera në shtëpi dhe duhet të kenë orarin e tyre për ushqim. Në gjueti qentë duan qetësi dhe nuk duan asnjë loj arome, as duhan”.
“Fillimi i mbarë, gjysma e punës”, thotë një shprehje popullore. Dhe për çiftin Pano, fillimi ishte mëse i mbarë. Qeni ishte shumë i aftë dhe kërkimi i tartufit ishte i frytshëm. Kjo gjë i motivoi që të vazhdonin nismën e tyre.
“Në fillim gjetëm tartufin e zi beharor (estivum). Në internet ai kushtonte 300-600 euro për kg, por në tregun që gjetëm ne, na kushtoi vetëm 30-35 euro. Gjithsesi ishim me fat pasi gjenim 10-15 kg në javë.
Tashmë u bënë 6 vjet që gjuajmë dhe është bërë punë normale. Dalim pothuajse çdo ditë dhe kërkojmë për 6-7 orë, varet nga koha dhe lloji i tartufit. Por nuk shkojmë përditë në të njëjtin vend, pasi duhet të kalojnë 2 ditë, për të shkuar te vendi i parë”.
Evgjeni është një eksperte e tartufit, di çdo gjë për të. Di ku rritet, kushtet që kërkon, di mënyrat e gjetjes dhe mbi të gjitha llojet e këtij zhardhoku. Ajo tregon, se ka disa lloje tartufi, që ndryshojnë jo vetëm nga çmimi, por edhe nga koha kur mblidhen.
“Ka 120 lloj tartufi. Vetëm 7 lloj kosumohen (5 të zeza 2 të bardha). Çdo lloj tartufi ka sezonin e tij dhe dallohet nga aroma dhe prerja e damarëve.Tuber estivum (i ziu beharor) mblidhet gjatë kohës prill- gusht. Tuber uncinatum (i ziu dimëror) e ka sezonin e tij në shtator-janar. Tuber biancheto (e bardha e rërës) mblidhet në periudhën janar-mars. Tuber piko (e bardha e shtrenjtë) e ka sezonin e vet në shtator- dhjetor. Tuber brumale mblidhet në nëntor-shkurt. Tuber mesenderikum në tetor-shkurt dhe tuber melanosporum në janar-prill”.
Ka shumë sekrete kjo punë. Sepse pas gjetjes duhet të dish se si ta pastrosh dhe ku ta ruash. Prandaj Evgjeni di ta kërkojë mirë, por mbi të gjitha ta ruajë mirë, të freskët dhe plot aromë, ashtu siç del nga toka.
“Kërkimi i tartufit është gjueti. Nuk mund të nxirret me vegla pune, pasi e dëmton. Duhet të nxirret vetëm me qen, sepse kështu ruan aromën dhe është i pjekur. Pas mbledhjes nuk duhet të lahet, thjesht pastrohet dhe kontrollohet për krimba. Mbahet në një rrobë pambuku, të cilën e ndërrojmë çdo 2-3 ditë. Vendoset në një kovë me kapak që të mos i ikë aroma në frigorifer dhe kështu qëndron i freskët për 10-15 ditë”.
Diamanti i kuzhinës përdoret në një sërë ushqimesh, makarona, rizoto, omleta e të tjerë. Italianët ia dinë sekretin dhe vijnë e kërkojnë në Shqipëri. Për shkak se e njohin mirë, e paguajnë edhe mirë. Aq i vlefshëm është sa çmimi vendoset në ankand. Krejt ndryshe ndodh në Shqipëri. Të paktë janë ata që e njohin, më të paktë ata që e kanë luksin ta blejnë dhe konsumojnë.
“Çmimi i tartufit varet nga lloji dhe nga klienti. Në Shqipëri përdorin më shumë estivum dhe biancheto, e cila nuk kushton më shumë se 100 euro, ndërsa jashtë kushton 300-600 euro. Këtu nuk ka treg me shumicë dhe ne kemi gjetur nëpërmjet internetit vetëm klientë familjar që blejnë 200-400 gram. Prandaj përgjithësisht e shesim në vende të tjera, si: Greqi, Itali, Francë. Kontaktojmë organizata që blejnë tartuf dhe ata na lajmërojnë çdo javë për çmimin, i cili vendoset në ankand. Porositë i marrim që jashtë dhe brenda 1-3 ditësh duhet të plotësojmë sasinë e kërkuar”, tregon Evgjeni.
Evgjeni nuk e njeh konkurrencën. Sipas saj, kush punon mirë, përzgjidhet nga klientët. Problemi i saj është çmimi i ulët në Shqipëri. Prandaj edhe ndonjëherë ka menduar t’i largohet tartufit. “Çmimi është po aq i rëndësishëm sa qeni. Po aq i vështirë është edhe kultivimi i tartufit, për të gjetur tokën e duhur dhe që të jetë e sigurtë”, thotë Evgjeni.
Për shkak të këtyre arsyeve, këto pasuri na i rrëmbejnë të huajt.
Është e rëndësishme që ne të vetëdijësohemi, për vlerat që mbart toka jonë. Shqipëria zotëron thesare, uji, ajri, toka e nëntoka. Duhet të zgjohemi e të kuptojmë se çfarë kemi!/LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply