
Flamur Bilo, njeriu që ndërton varka në Ersekë
Jeton shumë larg brigjeve të detit, por e lidh diçka e fortë me të. Nuk e gjen, as në Sarandë, Vlorë, Durrës apo Shkodër, por aty mund të takosh punën e tij. Mjeshtri i ndërtimit të varkave prej druri, Flamur Bilo jeton në qytetin e vogël e të largët të Ersekës. Në të gjithë Shqipërinë nuk gjen si ai. Nuk ka tjetër ndërtues varkash. Nuk gjen mjeshtër që e punon aq mirë drurin dhe njeh cilësitë e tij. Nuk takon njeri aq modest, familjar, shakator e të çiltër. Nuk njeh njeri aq të gjithanshëm, që krijon në dru, i bie kitarës, koleksionon objekte.
Fjalët i ka të pakta dhe nuk i pëlqen të lavdërojë punët e shumta. “Veprat e tregojnë të vërtetën më mirë se fjalët“, thotë ai.
Por teksa rrëfen jetën, eksperiencën e gjatë ndër vite, mahnitesh nga pasioni, kreativiteti dhe dashuria për të sjellë gjëra të reja. Si pjesë e një familjeje zejtarësh, zanatin e trashëgoi nga paraardhësit dhe me shumë dëshirë ua përcjell fëmijëve.
“Babai im bënte shumë profesione, përfshirë edhe gjuhtarinë. Eksploronte dhe kërkonte më shumë nga koha dhe nga përshtatja me rrethanat. Ka qenë marangoz i shkëlqyer. E kemi trashguar prej tij punën me drurin. Ne e perfeksionuam dhe zhvilluam më tej”, tregon Luli, siç e thërrasin të njohurit, teksa shton me të qeshur se duhet ta thërrisnin Muli, jo Luli, sepse nuk është Lulzim.
Babai i mësoi shumë, por jo ndërtimin e varkave. Zoti e bekoi me një talent të veçantë. Nuk ka pasur nevojë as për specializime e studime universitare. Duke qenë i vetmi në Shqipëri, nuk ka pasur as kolegë për shkëmbime idesh, materialesh apo përvojash.
“Ndërtimin e varkave e kam aftësi profesionale të lindur. Njoh mirë ligjet e fizikës dhe matematikën. Thembra është që një projekt i zbatuar duhet të jetë i qëndrueshëm”.
E ka nisur punën bashkë me nipin e tij që jeton në Itali. Ai i sillte projekte, ndërsa Flamuri i ndërtonte. “Në fillim krijova zjarrin, e pastaj shkëndijat”. Kështu e quan ai anijen me vela prej 10 metrash, ndërtuar prej druri. Gjendet në magazinën e tij dhe pret të lundrojë krenare. Është vepër e shumë viteve punë, lodhje, kohë dhe shpenzime, prandaj ka vendosur të mos e shesë.
Ka ndërtuar shumë varka më të vogla, të porositura nga njerëz të ndryshëm.
“Prodhojmë pak dhe vetëm me porosi. Kapaciteti i varkave tona është për lundrim afër bregut. Çdo mjet ka cilësi të veçanta, për të qenë i qëndrueshëm dhe hidrodinamik. Nuk është e thjeshtë të ndërtosh varka nëse nuk ke një grup ekspertësh”.
Flamuri tregon se nuk ka një linjë prodhimi, për shkak të boshllëqeve në legjislacionin shqiptar. Aksesorët që përdor për varkat i kushtojnë shumë për shkak të transportit, ndërsa tregu ende i parregulluar, mbizotërohet nga varkat prej rezine që vijnë nga jashtë. Ai ka treguar deri tani se di të prodhojë, por në të ardhmen premton më shumë.
“Kjo ka qenë pengesë për ne për të pasur kapacitet ndërtues dhe marketing më të madh. Ambicia jonë në të ardhmen është që të dalim në treg. Tregu për mjete lundruese në Shqipëri është bosh dhe për hir të së vërtetës, ne po sjellim një formë ndërtimi. Në Shqipëri nuk ka varka druri. Më kanë treguar se edhe në Greqi, ka shumë pak njerëz që bëjnë këtë që bëj unë. Sot varkat ndërtohen me plastikë, makineri dhe infrastruktarë më të zhvilluar, ndërsa unë parapëlqej drurin e pishës”.
Gjithçka në pronën e tij është prej druri. Këtë copë tokë ai e ka blerë pas ’90, dhe ka krijuar një perandori të vogël që e transformon dita- ditës. E pozicionuar afër rrugës kryesore, taverna, shtëpia dhe magazina e tij, mikëpresin çdo njeri që shkon në këtë qytet. Që në hyrje, flamuri shqiptar dhe ai amerikan valviten përballë njëri- tjetrit. Ai tregon se nuk ka asnjë lidhje me Amerikën, as dëshirë për t’u larguar. Ndoshta është i vetmi juglindor që nuk e ka provuar fatin me lotarinë amerikane. Fati i tij është në Ersekë.
Nuk është vetëm ndërtues varkash. Flamuri është i pari në Kolonjë që ka krijuar një ndërtesë dykatëshe prej druri. Duket si një shtëpi e vogël alpine, por është një tavernë e ngrohtë, e veçantë, e ndriçuar më së miri. Brenda mban një pasuri të tërë punimesh druri, varkash, kitarash, kostumesh popullore dhe objektesh të koleksinuara. Ndërsa katin e dytë, familja e përdor për të banuar.
“Taverna është 100% e ndërtuar prej meje dhe familjes. Projektin e restorantit e kam bërë vet. Kështu e kam konceptur. Kur fillova, si të gjithë ata që ndërtojnë, kisha nevojë për arkitekt apo inxhinjerë ndërtimi. Nuk gjeta. Kur u kam thënë miqve të mi se do të bëja një lokal prej dykatësh prej druri, u është dukur e pabesueshme. Mua nuk m’u duk e rrezikshme, pasi e njoh mirë fizikën. Është struktura më e bukur që ekziston”.
Pas një burri të suksesshëm, qëndron gjithmonë një grua e fortë dhe një familje e bashkuar. Cili është sekreti? “Vetëm disiplinë”, thotë Flamuri. Ndërsa Brunilda, bashkëshortja e Flamurit tregon se për ta, familja është gjithçka.
Ajo është është një kolonjare e vërtetë, në shpirt dhe në punë. E kujdesshme, e dashur, amvisa më e mirë dhe bashkëpunëtorja që të gjithë do të donin.
Na tregon se taverna ka qenë ëndërra e Flamurit, por me kalimin e kohës u dashuruan si familje. E ndërtuan para 10 vjetësh dhe tani punojnë të gjithë.
Në tavernën “Flamuri” preferohet ushqimi tradicional, të cilin e gatuan vetë e zonja. Teksa turistët janë të pavendosur se çfarë të marrin, vendalinjtë nuk kanë pikë dyshimi se aty gjenden ushqimet më shijshme dhe të shëndetshme.
“Gatuaj nga të gjitha ushqimet, zogjtë e fshatit i bëjmë në mënyra të ndryshme. Bëjmë lakror në saç. Gatuajmë mishrat e të gjtha llojrave, kec, shqerrë, viç, mish i egër. Përdorim sallaturinat, specat me salcë që i kemi traditë. Nuk mungojnë zajretë e dimrit, tërhanatë dhe roshnicat“.
Dora e saj prej nikoqireje gjendet kudo. Oborri duket si një parajsë e vogël. I mbështjellë nga gjelbërimi dhe i mbushur me lule të shumëllojshme.
“Lulet janë pjesë e jetës sime, pa to nuk jetoj dot. Kam pasion kopshtin dhe kafshët. Në oborr mbaj rosa, lepuj, pata, pula”, tregon Brunilda.
Familja e tyre ka projekte të shumta në të ardhmen, për restorantin, varkat, shkollimin e fëmijëve. E kanë provuar largimin drejt Tiranës për 4 vjet dhe janë rikthyer sërish në tokën e tyre. Nuk u intereson shumë politika, sepse qetsinë e kanë gjetur në gjirin e familjes, në punën e palodhur dhe pasionin për të krijuar.
“S’kemi ndërmend lë lëvizim, do të rrimë në kështjellën tonë. Jetojmë më të qetë, më të sigurt sepse jemi në vendin tonë”, thotë Flamuri./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply