
Jonida, jeta e një parukiereje në Abu Dhabi
Plazhe, sheikë dhe para. Kështu mendojmë të gjithë teksa shohim njoftime pune për në vendet arabe. Jo se këto nuk ekzistojnë, por ne po ju tregojmë anën tjetër të këtyre vendeve. Atë që shumë pak njerëz e dinë. Dhe ata që e dinë, shumë pak pranojnë të flasin. Prandaj, para se të aplikoni për të punuar, lexoni rrëfimin në Dritare.net dhe kuptoni se çfarë ndodh aty.
Jonida Gogo ka punuar 1vit në Katar dhe 2 vjet në Abu Dhabi, në parukeri, make up dhe bake up. Pas një jave ajo mund të lërë Abu Dhabin për të shkuar në Arabinë Saudite. Por, si nisi i gjithë ky rrugëtim?
Vajza e vogël, në ndjekje të ëndrrës së madhe
Jonida nuk është një vajzë e zakonshme, nga ato që ndesh apo sheh çdo ditë në rrugë. Vajza simpatike nga Tirana, nuk ka ecur, por ka vrapuar në jetën e saj. Ka vrapuar pas një ëndrre që e bëri realitet. Parukierja e shtëpisë, u bë e tillë edhe për një pjesë të mirë të salloneve dhe parukerive të njohura të Tiranës. Ishte 15 vjeç kur hyri në një parukeri dhe kërkoi të punonte.
“Një ditë hyra në një sallon dhe i thashë pronares se isha parukiere. Në fakt nuk isha parukiere, por e kisha shumë qejf. I prisja flokët mamit, babait dhe motrës. Dija ta mbaja si duhet krehrin dhe tharësen. Ajo më testoi dhe më pëlqeu. Madje më vendosi pseudonimin “kingia” . Më lajmëroi për vit të ri dhe punova 3 ditë. Pastaj fola me prindërit dhe ramë dakord që të ndiqja pasionin tim. Fillova një kurs, pasi nuk e kisha idenë e bojërave”.
Jonida e vazhdoi shkollën me korrespondencë dhe iu përkushtua punës. Për disa vjet punoi në disa sallone të ndryshme të Tiranës, derisa u bë nënë. Ishte vetëm 18 vjeç kur solli në jetë, Eljon. Në moshën 19 vjeçare hapi sallonin e saj, që pas disa muajsh u detyrua ta mbyllte.
“Salloni të mban 16 orë në këmbë. Unë e kisha edhe djalin të vogël dhe kështu që e mbylla. U riktheva sërish te salloni ku kisha punuar më parë. Pastaj më erdhi një ofertë nga Nobisi dhe punova 2 vjet aty. Dëgjova që shumë goca estetiste, parukiere, iknin në Dubai. Pavarësisht dëshirës për t’u larguar në Kanada, vendosa të shikoj edhe këtë mundësi të re”.

Si një vajzë që kishte jetuar intensivisht, nga një martesë në një divorc, një fëmijë dhe shumë përgjegjësi e nevoja financiare, Jonida pa një drejtim të ri në jetën e saj.
Ikja në Katar, mes frikës dhe të panjohurës
Për dy muaj u mor me aplikime online. Ishte tetori i 2015 kur mori një telefonatë nga Katari. I ofronte punë, i siguronte akomodim dhe një kontratë 1 vjeçare.
“Unë se kisha idenë se ku binte Katari. Kisha menduar për të shkuar në Dubai dhe Abu Dhabi. Thashë ta provoja njëherë. Pronarja më çon direkt në whats up pagën, kushtet e punës. Kjo më trembi fare, se nuk m’u duk profesionale. I dërgova pasaportën dhe dokumentet që duheshin dhe pas një muaji më vjen viza”.
Jonida tregon se ky ishte udhëtimi më i frikshëm në jetën e saj. Nuk e dinte se çfarë e priste pasi as me anglishten nuk ishte mirë. Por u qetësua kur e akomoduan në një shtëpi, ku njohu koleget e punës. Punonte 12 orë në ditë në një sallon bukurie që ndodhej në shkretëtirë.
Dy muaj para se t’i mbaronte kontrata e punës në Katar, filloi të aplikojë në vendet e tjera arabe. Merr një telefonatë për një ofertë më të mirë për në Abu Dhabi dhe kështu zhvendoset aty për dy vjet. Jonida thotë se nuk ishte fare e lehtë puna në këto vende dhe mënyra sesi trajtoheshin të huajt, nga vendasit e pasur.
Një eksperiencë jete dhe kalitje durimi
Çdo lëvizje dhe ndryshim është një risi, qoftë për mirë apo për keq. Edhe eksperienca e Jonidës, pati të dyja anët e medaljes. Ajo thotë se pati mundësinë të njihte njerëz nga vende të ndryshme, si Sri Lanka, Filipina, Ukraina, Maroku. Kuptoi më shumë për njerëzit e karakteret.
Argëtimet e saj ishin të pakta. Sepse kohën e kishte të kufizuar, ndërsa edhe vendet e argëtimit nuk ishin të shumta, përveçse ndonjë kafeje me miqtë, palestër apo plazh në ditët e pushimit.
“Alkooli nuk lejohej rrugëve. Kishte vetëm lokale nate apo hotele me yje ku lejohej pirja e alkoolit. Për mënyrën e veshjes, s’të thoshte gjë njeri. Ndërsa, për ushqimin vazhdoj ene të mos përshtatem”.
Nga ana tjetër, kjo eksperiencë ishte edhe një rritje profesionale. Jonida thotë se femrat lyenin flokët, qoftë për t’ia treguar njëra- tjetrës dhe e përdornin shumë make up. Kështu që në fillimet e veta bëri trajnime profesionale për make up-in arab që quhet Khalij make up.
Ajo thotë se arabët ishin të mirë, të sjellshëm e të ndihmonin, por në marrëdhënie pune nuk ishin aspak humanë.
“Nga kjo anë nuk ka qenë ndonjë eksperiencë shumë e mirë. Në Katar kam qarë pafundësisht. Pronarja, nga një familje shaike, sa e bukur ishte nga jashtë, aq e keqe ishte nga brenda. I trajtonte shumë keq njerëzit. Më bëri të ulja kokën dhe kam kërkuar falje para gjithë stafit edhe pse s’kisha bërë gjë, vetëm sepse thosha të vërtetën”.
Sipas saj, vendasit duan të bëjnë rolin e liderit edhe aty ku s’duhet, në gjëra të parëndësishme dhe elementare. Përveç penalizimeve, heqjes së rrogave, Jonida tregon edhe raste kur vajzat hidheshin në rrugë. Nxirreshin nga shtëpia në mes të natës dhe nuk iu jepej pasaporta, vetëm për egon e pronarëve.
“ Një tajlandeze e morën në një të natës dhe e nxorën jashtë shtëpisë, sepse donte të ikte pa i mbaruar kontrata. Ajo ishte nënë me fëmijë, se ne atje nuk jemi skllevër. E njëjta gjë ndodhi edhe me një shoqen time ukrainase. Ajo pranoi të bënte manikyr dhe pedikyr. Kur nuk pranoi të jepte mësim për vajzat e reja që vinin, e përzunë. Ishte Dita e Bajramit, kur e nxorën jashtë jashtë shtëpisë. Pamë tmerr me sy”.
Jonida thotë se nuk mund të largoheshe nga një vend pune, pa të mbaruar kontrata. Në të kundërt, të çonin në gjyq, i paguaje dhe më pas të bllokonin pasaportën. Nuk mungonin as rastet e mashtrimit, tipike kjo jo vetëm e femrave por edhe e meshkujve arabë.
“Pronarja na bëri të firmosnim një letër, që për të ndjekur një kurs Loreal, do të paguanim 2000 mijë euro nëse nuk e përfundonim. Ne e zbuluam më vonë që kursi ishte falas, ndërsa ajo tha që ishte 2 mijë euro dhe se i paguante salloni. Qëllimi ishte që të na mbante atje një dy vjeçar të plotë”.
Tashmë Jonida i njeh më mirë ligjet e vendit, njeh gjuhën dhe profesionin. Ajo ka në plan të ikë edhe për 2 vjet në Arabinë Saudite, për të përfunduar shlyrjen e kredisë së shtëpisë në Shqipëri.
“E di që do të jetë e mërzitshme, se nuk ka as kinema e as shumë vende argëtimi. Por është e nevojshme të shkoj. Kur të kthehem dua të punoj sërish në vendet ku kam punuar. Ndoshta do të hap sallonin tim”./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply