
Ky nuk ishte një 8 Mars i zakonshëm, Ines Leskaj: Protesta e grave nuk duhet të përfundojë kurrë
ati një zgjim ndryshe bota në këtë ditë të mërkurë. Gratë marshuan në disa kryeqytete botërore. Kanadaja shfuqizoi ligjet historike për paturpësinë dhe kundër abortit, Japonia tha se duhej bërë më shumë për të ndryshuar qëndrimet rreth gjinisë dhe Irlanda njoftoi një referendum në nëntor për të hequr referencat e vjetruara për gratë në kushtetutë.
Një zgjim jo të zakonshëm pati edhe në Shqipëri. Një protestë u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza”, nën moton “Marshojmë, s’festojmë! Për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”. Sheshi “Skënderbej” u mbulua sërish me instalacionin “Këpucët e kuqe”, ndërsa tema “grua” u bë kryefjala e tryezave të dikutimeve dhe workshop-eve, të organizuata nga Rrjeti i Fuqizimit të Grave Shqiptare. Në përkujtim të 3 grave që u vranë në Kamzë, për të cilat nuk do të ketë më 8 Mars, u vendosën 3 banderola në disa rrugë të qytetit, por siç lajmëruan më vonë aktivistët, dy prej tyre u hoqën nga autoritetet.

Nga ana tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë marshoi në disa institucione që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe kujdesin ndaj grave në vendin tonë, ndërsa qeveria lajmëroi vendimin për t’iu paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore grave të papuna me mbi 3 fëmijë. Duket se Shqipëria është bërë pjesë e diskutimit se 8 Marsi nuk është ditë feste, por një ditë vetëdijësimi për gruan në shoqëri.
Dita Ndërkombëtare e Gruas i ka rrënjët në lëvizjet socialiste dhe punëtore të SHBA-së në fillim të shekullit të 20-të, kur shumë gra po luftonin për kushte më të mira pune dhe të drejtën e votës. Edhe pas një shekulli, ende gruaja dhe e drejta e saj është e rrezikuar. Alarmin e dha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili kërkoi më shumë veprim dhe mobilizim nga qeveritë e organizatat, pasi sipas tij e drejta e gruas nuk është luks, që mund të presë derisa të zgjidhen krizat e tjera. “Në të kundërt”, u shpreh ai, “do të na duhen edhe 300 vjet të tjera për të arritur barazinë gjinore”.

Ines Leskaj, drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Grave Shqiptare (AWEN)
Liberale.al bisedoi me Ines Leskaj, drejtuesen e Rrjetit të Fuqizimit të Grave Shqiptare (AWEN), një nismë e krijuar nga koordinimi i 8 organizatave jofitimprurëse, me fokus mbrojtjen e grave. Nëpërmjet organizatave të këtij rrjeti, që punojnë në disa qytete, AWEN u ka ardhur në ndihmë grave në nevojë, ndërsa gjatë muajit mars, muajit të gruas, po organizon dhe mbështet një sërë aktivitetesh për njohjen dhe sensibilizimin për të drejtat e grave.
Po bëhen gati 14 vjet nga krijimi i nismës që ju drejtoni. Sa i përfaqësoni gratë, sa afër tyre jeni dhe çfarë mundësish iu ofroni?
Gratë janë pak a shumë të përfaqësuara në Shqipëri. Rrjeti i Fuqizimit të Grave në Shqipëri ka 10 organizata që punojnë në të gjithë Shqipërinë, duke filluar Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Peshkopi, Sarandë, Vlorë, Pogradec dhe mundohen të ofrojnë ato shërbime që i mbështesin edhe donatorët. Pjesa më e madhe e shërbimeve mbështeten nga donatorët dhe një përqindje shumë e vogël nga strukturat shtetërore. Në përbërje të këtyre shërbimeve janë shërbimet sociale, psikologjike, shërbimet ligjore, të gjitha falas. Në Shkodër, Elbasan, Vlorë ka edhe shërbime emergjente të strehimit dhe të riintegrimit, që do të thotë me kohë më të gjatë qëndrimi dhe stafet mundohen që t’i bëjnë pjesë e riintegrimit.
Si është gjendja e gruas në Shqipëri? Sa e vetëdijësuar është ajo për rolin dhe të drejtat që ka në shoqëri?
Nëse flasim për gjendjen e gruas dhe vetëdijësimin, në kuptimin nëse ka pasur ndryshim ose jo të rasteve të ndërgjegjësimit të denoncimit, atëherë ka pasur edhe përmirësim. Para disa vitesh ne flisnim për një situatë akoma më alarmante. Alarmante sa i takon edhe denoncimit të raportimit të rasteve të dhunës. Tani, me rritjen e numrit të raportimeve, shikojmë përmirësim, por ky vetëdijësim nuk është i mjaftueshëm.
Për ndërgjegjësimin ndikon negativisht edhe fakti që në një pjesë të mirë të zonave të thella, rurale, të qytetve të vogla mungojnë shërbimet dhe gratë shpesh gjenden përballë boshllëkut dhe mungesës së oferimit të shërbimeve, madje dhe të atyre më bazike, që përkthehet për një grua të dhunuar në shpëtimin e jetës ose jo. Ende nuk mund ta quajmë të vetëdijësuar rolin e gruas në shoqëri. Nëse do ta diskutojmë më gjatë dhe më gjerë, ky nuk është vetëm një problem shqiptar, është një problem global. Jo në të gjitha vendet gratë janë të vetëdijësuara plotësisht sa i përket të drejtave të tyre, ose i keqmenaxhojnë, ose i keqkuptojnë, keqkonceptojnë, etj., pra ka diskurse të tilla, të cilat dashur pa dashur bëhen nga vetë gratë, dhe dashur pa dashur ndikojnë në të drejtat e grave dhe në diskutimin e këtyre grave.
“Marshojmë, s’festojmë!”, ishte motoja e protestës të organizuar sot prej jush në sheshin “Nënë Tereza”. Përse gratë duhet të protestojnë?
Protesta nuk duhet të përfundojë kurrë. Pse duhet të ketë protesa? Është e lidhur me faktin që qoftë edhe një personi të vetëm t’i cenohen të drejtat, jo vetëm në vendin tonë por kudo që të jetë, duhet të ketë protestë, duhet të ketë ngritje të zërit. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe patjetër që në këtë rast protestat nuk duhet të mungojnë. Kur themi të drejtat e njeriut, ne e dimë shumë mirë që në vendin tonë shkelen edhe me të dyja këmbët, por kur flasim pastaj për të drejtat e grave kemi shkelje dhe çështje ekstreme të shkeljeve të të drejtave të njeriut./Luiza Pinderi
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply