
Në Pustecin e harruar, në varfëri mes një pasurie natyrore
Për Pustecin flitet pak dhe shumë rrallë rastis të gjesh ndonjë lajm nga jeta e përditshme, ajo kulturore apo arsimore e kësaj zone. Pavarësisht kësaj, Pusteci, bashkia më e re që iu shtua Qarkut Korçës, ofron shumë mundësi për zhvillimin e turizmit, falë pozicionit gjeografik, buzë liqenit të Prespës dhe me atraksione të veçanta turistike, një prej të cilëve është edhe Ishulli i Maligradit.
Ne të Eduaktiv mbetëm të mahnitur nga pamja dhe bukuria e fshatit Pustec, e njëkohësisht shumë të befasuar nga kushtet në të cilën e gjetëm, duke filluar nga rruga e cila e vështirësonte shumë zbritjen deri te liqeni. Banesat ishin kryesisht të vjetra, e këtij fati nuk i kishin shpëtuar as godina e kopshtit dhe shkollës së mesme të bashkuar, në të cilat nuk ishte vendosur dorë prej kohësh dhe as që parashikohej që të kishte një plan investimi për to.
Drejtori i shkollës së mesme të bashkuar, Trajan Gjorgjiovski, na shoqëroi në kopshtin “Kësulkuqja”, i cili frekuentohej nga 22 fëmijë, nën kujdesin e 2 edukatoreve. Godina e kopshtit ishte e vjetër dhe në ambientin e jashtëm, e vetmja gjë që nuk mungonte, ishte hapësira. Kopshti rrethohej me oborr të madh, por brenda tij nuk gjendej asnjë gjurmë lodre apo aktiviteti për argëtimin e fëmijëve. Ambienti i brendshëm ishte i vogël, por me mure të zbukuruara, për të krijuar një mjedis të këndshëm, edukues dhe mikpritës për fëmijët. Komunikimi mes fëmijëve dhe edukatoreve bëhej në gjuhën maqedonase, ndërsa pas dërgimit në shkollë, mësimi përveçse në gjuhën amtare, bëhej edhe në atë shqipe, ashtu siç parashikohet në ligjin për arsimin parauniversitar.
I pyetur për faktin se pse nuk investohet për rikonstruksionin e godinave, Trajan Gjorgjiovski na shpjegoi se kjo Bashki është në ngërç, për shkak se nuk ka asnjë plan për zhvillimin e fshatit.
“Këtu askush nuk ankohet, nuk flet. Siç i thonë një fjale të urtë, ka gjetur tenxherja kapakun. Është një zonë që e ka bekuar Zoti, por është harruar nga njerëzit. Institucionet bëjnë sikur punojnë, por siç shihet nga gjendja aktuale, asgjë nuk ka lëvizur”, tha Gjorgjiovski.
Bashkia Pustec përfshin brenda territorit të vet fshatrat: Liqenas, Diellas, Lajthizë, Zaroshkë, Cerje, Goricë e vogël, Goricë e madhe, Kallamas, Gollomboc. Sipas censusit të vitit 2011 Pusteci numëronte 3.290 banorë, por nga të dhënat e Regjistrit Civil të 2015, kjo bashki kishte 5.191 banorë. Sipa Gjorgjiovskit, aktualisht aty jetojnë rreth 4000 banorë. Pavarësisht ndërtimit të ndonjë shtëpie të re dhe rrugëtimit të ndonjë makine, në fshat mbizotëronte e vjetra, e hershmja dhe e reja nuk kishte gjetur as hapësirë e as mundësi për të hedhur rrënjë.
Gjorgjiovski na shpjegoi se pjesa më e madhe e banorëve ishin të papunë. Aktiviteti jetësor ishte përqendruar në punësimin sezonal në Maqedoni dhe Greqi, në peshkim apo atë sadopak bujqësi dhe blegtori që mund të zhvillohej. Pavarësisht mungesës së vëmendjes dhe harresës, njerëzit mundoheshin me mënyrat e tyre për të mbijetuar. Aty ku koha kishte mbetur, të rinjtë mundoheshin të zhvilloheshin. Nga gjimnazi i Pustecit, kishin dalë dy nxënëse ekselente, të cilat kishin vazhduar studimet universitare. Kjo ishte e vetmja gjë e mirë, që na bëri të harrojmë disi ato godina të vjetra e plot njolla në mure. Përderisa diçka lëviz, do të thotë se ende ka shpresë!/LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply