
Një rrëfim ndryshe nga Lis Bukuroca, shkrimtari që jep zgjidhje
Shqiptar nuk të bën të jetuarit në vendin tënd. Të tillë të bën emri, dashuria, përkushtimi dhe njohja e vendit nga vjen. Naser Aliu është shqiptar më shumë se çdokush që jeton në Shqipëri, Maqedoni apo Kosovë. Sepse origjinës i ka marrë emrin dhe lisat, duke u vetëquajtur Lis Bukuroca. Kjo është një mënyrë, që e mban të lidhur me vendlindjen. Emri i huaj, sipas tij është reklamë për atë vend, që nuk të lidh asgjë.
I lindur në Bukurocë të Preshëvës, rritur në Kumanovë dhe diplomuar në Prishtinë, për gjuhën dhe letërsinë frënge. Aktualisht jeton me familjen në Gjermani dhe punon si pedagog, duke zhvilluar kurse të gjermanishtes, për fillestarë, apo duke u mësuar refugjatëve të ardhur nga vende ku mungon liria, se si duhet të jetojnë në një vend demokratik
Më shumë se emri, Bukuroca është një njohës i mirë i problemeve të shoqërisë shqiptare. Ai e di sëmundjen e kësaj shoqërie,e fatmirësisht ka edhe disa piketa se si duhen zgjedhur. Se si duhet trajtuar fëmija, gruaja dhe burri, për të pasur individë të shëndetshëm, familje në harmoni dhe shtet demokratik. Ai e di se si trajtohen gratë shqiptare, falë patriarkalizmit, të rrënjosur thellë prej dekadash e shekujsh. Sipas tij, zgjidhja është burri, jo gruaja. Kjo e fundit është veçse viktimë.
“Kam parë që fëmijë, patriarkalizmin shqiptar, prandaj edhe shkruaj. Shkruaj për gratë, që të emancipohen burrat, sepse ata duhet ta kuptojnë realisht rolin dhe vlerën e gruas”, thotë ai.
Lis Bukuroca ka me dhjetëra artikuj, kushtuar tematikave sociale dhe politike. Të gjithë shqiptarët duhet ta lexojnë Lis Bukurocën, mënyrën e trajtimit dhe zgjedhjet që jep. Të gjithë shqiptarët, që do të jetojë në këtë vend dhe e duan atë, duhet t’i shërbejnë atij, duke mësuar dhe kuptuar se si të duan veten, familjen dhe kombin e tyre.
Në këtë intervistë Lis Bukuroca tregon për veten, librat, problematikat e gruas dhe shoqërisë shqiptare. Një rrëfim i rrallë që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë.
Ju aktualisht jetoni në Gjermani. Pse u larguat nga vendi juaj dhe pse zgjodhët Gjermaninë?
Gjermaninë në fakt nuk e zgjodha. Erdha për disa javë gjatë pushimeve verore në vitin 1999. Në shtator duhej të kthehesha dhe të vazhdoja punën në shkollë, ndërsa në dhjetor të atij viti, duhet të shkoja në një universitet të Madridit për dy vite specializim. Një javë para se të kthehem në shtëpi, më telefonuan dhe treguan se më kërkonte policia. Dokumentet e nevojshme duhej marrë nga ambasada spanjolle në Beograd. Për nga formimi profesional, atëherë duhej të isha në Francë apo Itali, sepse ato dy gjuhë i kisha studiuar, por shteti serb ishte përcaktues i fatit të mijëra shqiptarëve dhe në mesin e tyre, edhe timit.
Jeni botues i 2 librave, “Ngjyrat e Dashurisë” dhe “Hijedritat e Jetës”, të botuar brenda vitit 2017. Çfarë trajtoni dhe a jeni duke punuar ndërkohë për ndonjë projekt të ardhshëm?
Trajtoj kryesisht temat sociale e politike dhe herë pas here shkruaj tregime dhe poezi. Libri “Hijedritat e Jetës” është përmbledhje e poezive të shkruara gjatë shtatë viteve të fundit, por edhe disa të reja, të pa botuara.
Ndërsa, romani “Ngjyrat e Dashurisë” është botuar fillimisht me titullin “Kanuni erotik i Kurtit”, i shkruar gjatë katër viteve të fundit. Brenda disa javëve, mora 37 email, më shumë nga gra, por edhe nga burra, se nuk mund ta blinin romanin me atë titull, se nuk mund ta dërgonin në shtëpi etj. I ndjerë nën atë trysni, duhej të vendosja në mes leximit dhe mos leximit dhe vendosa të ndryshoj titullin. Nuk kisha perceptuar si duhet shoqërinë. Duket se nuk kishte ecur para, në fakt, në shumë fusha, ishte kthyer prapa.
Shpresoj se deri në dhjetor të përfundojë një komedi në gjermanisht. Kam edhe një libër tjetër me tregime të shkruar në vitet e ‘90, por nuk kam kohë akoma ta rishikoj. Shpresoj që vitin e ardhshëm të përfundoj temat që merren me familjen, konkretisht me gruan dhe burrin shqiptar. Këtë kërkojnë lexuesit tash e disa vite. Do të jenë dy vëllime me tregime dhe sprova mbi mizogjininë dhe gjinofobinë, por edhe për pasojat për shoqërinë. Është një frymëzim nacional.
Jeni botues i dhjetëra shkrimeve, me tematika të ndryshme, por kryesisht shkruani për problemet e familjes dhe trajtimin e gruas. Pse keni zgjedhur të mbani një pozicion të tillë, pro gruas shqiptare, në përpjekje për të emancipuar rolin e saj?
Mbaj këtë pozicion, sepse padrejtësia duhet luftuar, sepse mosluftimi është pajtim me mjerimin e tjetrit. Sepse të luftohet diskriminimi i gruas është domosdoshmëri. Sepse gratë më kanë bërë të lumtur jetën, i kanë dhënë kuptimin e plotë, që nga gjyshja, nëna, motrat, deri bashkëshortja dhe bija.
E pastaj, kam jetuar dhe jam rritur në një rreth patriarkal. Në Kumanovë, gati edhe krejt lagjja dhe qyteti ishte i tillë. Kam parë, përjetuar dhe ndjerë pasojat e patriarkalizmi dhe pengesat dramatike në zhvillimin e fëmijëve. Patriarkalizmi shkatërron lumturinë e një familjeje, respektivisht të një populli. Qysh para moshës dhjetë vjeçare pata parë si fejoheshin vajzat me shkues dhe si u tregohej vetëm një fotografi. Pasonte martesa një të diele dhe në mbrëmje, bëhej seks në mes dy vetave të panjohur.
Më vonë, sa herë dashurohesha vet, qindra herë pyesja veten çfarë çasti dramatik emocional ishte ai takim në krevat dhe ai seks i detyruar?! Si përjetohej ai akt, kur pas disa minutave shkëmbimi të disa fjalëve, duhej të zhvisheshin dy veta lakuriq: Pa dashuri, të pa përvojë dhe të pa painformuar! Seksi i homo sapiensit është art, jo vetëm obligim shumimi!
Mungesa e barazisë në shtëpi nuk lejon kurrë krijimin e shtetit ligjor, sepse aty edhe në shtëpi, shkelet ligji dhe kushtetuta. Aty fëmija stërvitet të mashtrojë, të mbijetojë, jo të përparojë. Duhet të bëhet integrimi social brenda sistemit. Akoma jemi jashtë tij dhe adhurojmë kombin, por shtetet i rrënojmë me pasion! Atdheu pa shtet ligjor është barakë!
Me dëmtimin e gruas, dëmtohet edhe fëmija dhe me të edhe familja, me familjen e palumtur prodhojmë komb tallava. Fëmija i nënshtruar në shtëpi, nënshtrohet nesër edhe jashtë para autoriteve tjera dhe humb individualitetin. Patriarkalizmi përpiqet të prodhojë kopje njerëzish, jo individualitete.
Jemi i vetmi popull në Evropë, i cili ka katër kushtetuta për një jetë: Normat sociale të përziera, kanunin, religjionin dhe kushtetutën. Nuk ka asnjë komb në botë që ka katër rregullore normative. Në Evropë kanë kryesisht dy: Kushtetutën dhe normat sociale. Ato “kushtetutat” tona krijojnë një popull heterogjen, heterodoks, kaotik, në mjegullnajë të përhershme dhe pa orientim të kristalizuar. Elita politike shqiptare dhe kaosi nacional është rezultat i traumatizmave të marra në shtëpi.
Po, pse pro gruas shqiptare? Në fakt, nuk perceptoj veten si pro gruas shqiptare, por pro gruas në përgjithësi. E para, gruaja është njeriu më i mirë se burri. Ajo nuk bën vepra penale, ose shumë më pak se burri. E dyta, mosbarazia e gruas prodhon shoqëri hipokrite. Emancipimi i burrit, domethënë futje e dashurisë në shtëpi, aty ku duhet, jo kthimi, sepse në shumë familje nuk ka qenë kurrë. Në kriminalitet dhe radikalizëm ndikon edhe mungesa e dashurisë në shtëpi. Fëmija revoltohet ndaj prindit. Me burgosjen e tij, ose radikalizmin, ai dënon vetëm prindërit e vet. Respekti, barazia dhe dashuria brenda familjes, mënjanon traumatizimet dhe krijon shoqëri moderne, tolerante.
Në fakt qëllimi im nuk është emancipimi i gruas, por i burrit, sepse në të shumtën e rasteve, ai është shkaktar i mjerimit. Pa drejtësi në familje, nuk mund të ketë drejtësi në shoqëri, në shtet. Me patriarkalizëm, nuk ndërtohet demokracia, por vetëm një shtet tribal i cili për punësim nuk merr për bazë dijen, por lidhjet e gjakut.
Çfarë përfaqëson femra shqiptare sipas jush dhe cila është problematika më e mprehtë që ajo përballet edhe në ditët e sotme?
Problemi më i madh i gruas shqiptare është mungesa e barazisë. Mungesa e lirisë. Mungesa e mirënjohjes, stigmatizimi, paragjykimi dhe mosbesimi. Rrahja dhe nënshtrimi. Përbuzja dhe përdorimi. Mbikëqyrja dhe kontrollimi. Madje edhe vrasja. Ne kemi dy lloj ndere: atë mashkullor dhe atë femëror. Nderi i burrit mund të rindreqet sa herë të damkoset, por i gruas jo, ose gati kurrë jo. I mbeten si stigma. Gruas shqiptare i mungon respekti dhe mirënjohja. Palumturia u shihet në rrugë, në fytyrat e tyre. Fëmija i rritur në kushte teatrale me vite do të përleshet me traumat e marra aty ku nuk duhet dhe do të ketë probleme në profilizimin e tij, respektivisht, në arritjen e suksesit dhe lumturisë.
Çfarë problemesh ka shoqëria shqiptare, që nuk ekzistojnë në shoqëritë evropiane dhe çfarë duhet të bëhet për kalimin e tyre?
Shoqëria evropiane ka më shumë se dy shekuj që bazohet në iluminizëm, në shkencë. Domethënë janë popuj dinamikë, që ndryshojnë me sistemet, jo statik, që vështrojnë rendet nga jashtë. Shoqëria shqiptare e ka problemin në bërthamë, në familje. Në fakt nuk është familje ashtu siç përjetohet në Perëndim, por është një bashkësi interesi Ai që dashuron, nuk mund të diskriminojë. Për diskriminim duhet urrejtje, degradim dhe përbuzje!
Prodhimi katastrofal i familjes me paragjykime gjinore dhe diskriminim, është elita politike dhe intelektuale, që nuk ndjen përgjegjësi për shoqërinë, por vetëm për vete. Duke i munguar ajo empati sociale, ai korruptohet lehtë, dhe pa brerje ndërgjegjeje rrënon shtetin e vet, si qeliza kanceroze, trupin te i cili jeton. Kemi dy edukata, atë mashkullore dhe atë femërore. Dy morale në kacafytje, mes tyre.
Ne kemi luftë qytetare brenda familjes, sepse njëra gjini sundon, tjetra duhet të pranojë nënshtrimin dhe të buzëqeshet. Ajo luftë nuk është gjithmonë fizike, por në vazhdimësi psikologjike. Bijat manipulohen dhe përgatiten për nder femëror dhe me emocione, burrat përgatiten të jenë të fortë, të ashpër dhe të mos kuptojnë gratë nesër, prandaj në shumë raste, ata duan nënën, por jo shoqen e vet. Moskuptimi në mes gjinive është nënvizuar te libri bestseller i Danile Goleman “Inteligjenca emocionale.” Ai burrë është viktimë dhe do të jetojë me telashe, sepse jeton në shekullin e gabuar! Jo vetëm se jeton vet diku në mesjetë, por manipulon edhe të tjerët.
Për kalimin e atyre aberracioneve sociale, duhet respektuar dinjiteti i njeriut në shtëpi, pa dallimi gjinie. Nuk duhet pasur dy lloj edukata. Nuk duhet edukuar fëmija në kundërshtim me kushtetutën sepse kjo krijon një konflikt të vlerave dhe nesër pason vepra penale. Tregues për dashurinë ndaj fëmijëve mund të jetë numri i librave që lexohen mbi edukatën. Patriarku shpesh nëpërmjet fëmijëve përpiqet t’i realizojnë ëndrrat e veta. Fëmija lindet me një individualitet të vetin dhe duhet motivuar në ruajtjen e tij, jote rrahet dhe shkatërrohet pikërisht ai. Ata nuk njohin dashurinë, nuk e kuptojnë si emocion, e konsiderojnë kurvëri, por në çaste të vështira të jetës, kryesisht për dashuri, nuk ndihmojnë fëmijën, por e dënojnë, thua se janë gjykatës, e jo prind. Nga çka vuan shoqëria shqiptare? Shoqëria shqiptare vuan në mënyrë kronike nga mungesa e dashurisë në shtëpi dhe e sinqeritetit, sepse në patriarkalizëm, sinqeriteti mund të kushtojë shtrenjtë. Rrena shpesh shpëton nga dënimi dhe prandaj ajo kultivohet si normë morale.
Fëmija qysh në shtëpi përgatitet për ta refuzuar, për ta sfiduar shtetin. Mjafton të mos merret vesh. Djali shet drogë, i ati administron pasurinë e krijuar nga kriminaliteti dhe dëmtimi i fëmijëve të huaj. Në shoqëritë evropiane ajo që është aprovuar si ligj zbatohet, te ne sa për sy e faqe, madje të parët që shkelin ato ligje, janë gjykatësit, prokurorët, parlamentarët dhe politikanët në përgjithësi. Ata nuk janë asgjë tjetër pos rezultati i katër kushtetutave dhe tollovisë së normave, ku gjithmonë mund të gjejnë një arsyetim për veprën penale. Ata gënjejnë paturpësisht, sepse e kanë mësuar dhe i kanë stërvitur mirë me dyfytyrësinë!
Shoqëria shqiptare akoma nuk percepton gruan si njeri me shpirt, por vetëm si trup: Objekt seksual, ose jo. Popujt ku diskriminohet gruaja, nuk prodhojnë asgjë me vlerë. Sot 70 për qind e botës jeton me një edukatë kolektive, ku zhbëhet individualiteti, 30 për qind kultivojnë pikërisht atë dhe motivojnë lulëzimin, ngritjen, sipas aftësisë që ka fëmija. Në Gjermani punojnë më shumë se 20 milionë gra dhe përbëjnë gati 70 për qind të personelit të spitaleve. Pa barazinë e gruas gjermane, ky sukses ekonomik nuk do të arrihej kurrë.
Rezultati i gruas së emancipuar shihet te fëmijët. Një nxënës gjerman ka fjalor më të pasur se një profesor universiteti te ne. Është dëshmuar në një studim se fëmijëve, që u lexohen përralla si të vegjël, që janë rritur me libra në shtëpi, me gazeta, studiojnë shumë më shpesh se sa ata pa libra, por edhe vuajnë nga varfëria komunikuese. Për të gjitha të ligat në shoqërinë shqiptare dhe vendin e garantuar të fundit, tash e një shekull, është përgjegjës patriarkalizmi: Është burri shqiptar, që luan një rol jashtë, një tjetër brenda. Hipokrizia e ngritur në moral, në mburrje. Jashtë ai rrezaton sjellje dhe edukatë moderne, në shtëpi, primitive, fisnore. Jashtë e çmojnë, në shtëpi i frikësohen. Mos të harrojmë, 58 për qind rrahin gra! Domethënë shumica e dëmtohet aty ku nuk duhet, në shtëpi. Çfarë duhet të bëjmë ? Duhet ta zbusim burrin! T’i mësohet dashuria, inteligjenca emocionale, empatia dhe pranimi i lirisë dhe barazisë, sepse presioni dhe keqtrajtimi, nuk krijojnë kurrë as familje të mirë, as popull të lumtur! Nënat nuk duhet të edukojnë në dy mënyra. Është pafytyrësi të kërkohet drejtësi jashtë, kur drejtësinë anulojmë brenda, në familje!
Çfarë ju shkruajnë apo ju thonë njerëzit kur lexojnë shkrimet tuaja? A arrijnë të ndërgjegjësohen për mënyrën se si duhen zgjidhur problemet?
Ka reagime të të gjitha natyrave. Janë shumë. Më shkruajnë kryesisht privatisht dhe më tregojnëpërjetimet e tyre. Me ndonjë pasqyrim të ndonjë gjendje, mendoja se isha i ashpër dhe thosha me vete kjo ishte dikur, sot nuk mund të jetë. Pasojnë disa email me skena akoma më dramatike, se ai që kisha shkruar. Më shkruajnë për gratë që u merren të gjitha paratë e rrogës, jo nga burri, por nga vjehrri. Më shkruajnë se një intelektuale diku në Kosovë, nga vjehërri dërgohet në punë dhe merret nga puna me makinë, edhe pse ajo është e saj dhe ka patentë. Se nuk guxon të flasë kur kanë miq në shtëpi pa pajtimin e burrit me vështrim. Se rrihen, se dhunohen, se nuk dinë çfarë të bëjnë. Tjetrën e detyron burri të hajë shumë, sepse atë e nervozojnë vështrimet e burrave tjerë. Më shkruajnë nëna, bija dhe djem të keqtrajtuar. Më tregojnë hapur për sjelljet e babait, të burrit, për shkurorëzimet. Njëri tregonte se babai e kishte rrahur si fëmijë aq ashpër, pse nuk kishte qenë në gjendje të lexonte mirë, saqë nuk kishte mundur disa ditë të ulej nga dhembjet. Tjetri, se babai nuk e konsideronte fëmijë të vetin. Njëri se ndjehej homoseksual dhe se e kishin martuar me zor, se nuk e dashuron gruan etj. Tjetri i penduar shkruante se e kishte sharë gruan e vet, natën e parë, pse kishte gjëmuar ajo gjatë seksit. E kishte quajtur kurvë. Ai duhej të kënaqej, ajo duhej të heshtte. Ka dhe email prej atyre që mendojnë se barazia gjinore shkatërron një komb, por edhe shumë burra, që me faqe të tëra raportojnë për sjelljet e një babai narcist, fanatik, sadist, psikopat, xheloz dhe se akoma, vuajnë për padrejtësitë e përjetuara. Janë histori të dhimbshme. Njërën prej tyre, pas kërkesës së një lexuese të re, e pata publikuar. Ishte trishtim të lexohej dhe i ngjante letrës së Kafkës shkruar babait.
Shumë herë më kanë shkruar se kanë hequr dorë nga dhuna në shtëpi dhe kjo më mjaftonte. Zgjidhja e asaj anomalie shoqërore arrin, kur të kuptojnë se keqtrajtimi është e kundërta e dashurisë, se rrënimi e kundërta e ndërtimit. Familja duhet të jetë vatër ngrohtësie dhe dashurie, ku njeriu kthehet me mall e dëshirë. Burrat primitivë, barazinë përjetojnë si tredhje psikike. Ai që përdor metoda të kriminelëve ndaj fëmijës dhe gruas, ai nuk meriton të ketë as fëmijë, as grua.
Shkrimet tuaja janë një det dijesh. Gjen anekdota, fjalë të urta, psikologji, trajtesa politike, këshilla jete. Por, a janë ato një qiri, që mbushin një dhomë të zbrazur, përfaqësuar nga kjo botë virtuale?
Po, janë qirinj. Vet fakti, se lexohen edhe deri në 11.000 herë, dëshmon atë.. Sikur të mos ishin ato reagime, as që do t’i kisha shkruar. Falenderimet e tyre dhe ndikimi në përditshmërinë, është nxitësi kryesor. Njeriut i duhen afruar argumente se nga liria dhe barazia, fiton sinqeriteti dhe kthehet lumturia në shtëpi, por edhe në komb dhe se gratë, nuk duhet trajtuar si të përdala, pse ndonjë mund të jetë. Gruaja nuk tradhton burrin e mirë. Vetëm me liri të plotë mund të njohin njeriun pranë nesh, përndryshe e detyrojmë të luajë një rol dhe, aq sa më shumë shtypet nëna e fëmijëve, aq më shumë nesër ai baba shpërfillet nga ata. Po them këtë duke u bazuar në reagimet e tyre dhe raportet që kanë me prindin, që kanë parë rrahjen e nënës apo që janë rrahur vet. Liria është një problem i madh për popujt, që nuk kanë përjetuar iluminizmin. Aty tradita përplaset me të renë dhe është veprim kundër evolucionar. Njeriut i është imponuar ndryshimi dhe ecja para. Kemi përjetuar barriera të tilla, herë nga teokracitë, herë nga diktaturat. Do të ketë edhe tutje shfaqje të tilla, përpjekje sporadike, por iluminizmi do të ngadhënjejë kudo sepse janë ligje nga njerëzit për njerëzit.
Është krijuar përshtypja, edhe me të drejtë, se shoqëria e sotme është sipërfaqësore dhe teknologjia e ka tjetërsuar rolin e gjithkujt. A mund të tjetërsohen problemet dhe roli i njeriut?
Tjetërsohet njeriu si edhe problemet. Ne jemi duke jetuar në ardhmëri. Ajo që para dy a tri dekadave quhej fanta-shkencë, sot është realitet dhe natyrisht, atë që sot e quajmë të tillë, nesër do të jetë normalitet. Përthyerja shoqërore është aq dramatike, sa edhe në kohën e iluminizmit. Sigurisht në histori do të hyjë si epoka dixhitale. Se është sipërfaqësore dhe po shkon në atë drejtim që aftësitë kognitive të zvogëlohen e thotë Giovanni Sartori te “Homo Videns.” Pra njeriu po shërbehet me imazhe më shumë se sa me të menduar, folur etj. Është një kërcim global si kurrë më parë në historinë njerëzore. Dixhitalizimi po ndryshon botën dhe futuristët parashikojnë humbjen e 50 për qind të vendeve të punës në 20 vitet e ardhshme. “Amazon” ka investuar këtë vit 16 miliardë dollarë në kërkime shkencore, “Appel” pak më pak, gjithashtu, “VË” gjermane 12 miliardë dhe ka vendin e pestë në botë për nga investimet. Dikur shkenca varej nga shteti, sot nuk ka më atë monopol. “Google” ka investuar 1 miliard dollarë për zhbërjen e vdekjes, një bashkëthemelues i Facebookut, 100 milionë për të njëjtin synim. Kthimi i qelizave të maturuara në bazike, ka dëshmuar se jeta mund të manipulohet. Ato investime të mëdha janë tregues se bota do të ndryshojë, por se edhe monoteizmi do të zhduket siç parashikon profesori i historisë universale Yuval Noah Harari te libri “Homo Deus”, bestseller në botën perëndimore. Monoteizmi do te zëvendësohet me humanizmin, për fat, (ka shekuj që mban popujt në akth dhe prodhon urrejtje dhe luftëra) dhe se do të ketë njeri hibrid njeri me aparate, dhe merreni me mend, në këtë gjendje, ne kemi probleme me barazinë dhe dashurinë në familje! Në kohën kur kemi prototipet e para të makinave që fluturojnë. Në kohë kur thuhet se deri në 6 milionë planetë në Rrugën e Qumështin, ka jetë. Për ata që lexojnë, kënaqësi më të madhe nuk ka, sepse librat gjenden edhe në internet apo studime të ndryshme nëpër faqet e universiteteve, por interneti ka dëmtuar rëndë kontaktet sociale dhe kjo prish edhe mirëqenien e njeriut./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply