
Pedagogu Andi Hoxhaj rrëfen takimin me Hillari Klinton
Hilari Klinton vazhdon të mbetet një personazh frymëzues për shumë shqiptarë. Pavarësisht se nuk u bë presidente e SHBA-ve, kjo gjë nuk e bën humbëse dhe as nuk ia rrëzon vlerat. Nëpërmjet prezantimit të librit “Çfarë ndodhi”, ajo po tenton t’i tregojë botës të vërtetën e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Së fundi Klinton ishte në Britani, e ftuar nga Royal Festival Hall, për të folur për librin e saj. Mes 2900 spektatorëve nga gjithë bota, ishte edhe shqiptari, Andi Hoxhaj.
Ai shpërndau një video në rrjetet sociale nga aktiviteti, duke e cilësuar frymëzues, fuqinë dhe guximin e Klinton. Kontaktuam me të dhe ai na tregoi më shumë për Klinton, prezantimin e saj dhe ndjesinë e të parit nga afër, të një prej grave më të fuqishme dhe më në të përfolura në botë.
“Klinton është një personlitetet me një karrierë të shquar në rang botëror, dhe të dëgjoja përgjigjet e saj elokuente dhe mendjeholla, ishte një ndjesi mjaft e veçantë. Klinton ndau shqetesimet e saj për situatën në botë, duke filluar nga klima e acaruar poltike nëAmerikë e më gjerë, avancimi i poltikës nacionaliste, keq-informimi i publikut, lajmet jo të vërteta, dhe maskilizmin në poltikë. Foli për organizatën e saj të re “Onward Together”, e cila mbështetet dhe trajnon femrat që dëshirojnë të përfshihen në poltikë dhe vendimmarje, pasi sipas saj, e vetmja mënyrë që maskilizmi të eleminohet nga politika, është duke u marrë sa më shumë femra me politikë. Klinton analizoi arsyet e humbjes së saj, duke pranuar me shumë hijeshi, se edhe ajo vetë kishte mungesat e saj si kandidate”.
Vlerat e kësaj gruaje shtohen më tepër kur risjell në vëmendje rolin që ka luajtur për politikën amerikane, por edhe për atë shqiptare. Hoxhaj kujton fjalët që Klinton iu tha shqiptarëve, kur foli në Kuvendin e Shqipërisë, në 100 vjetorin e Pavarësisë, duke kërkuar prej tyre bashkëpunim. Sipas tij, politika shqiptare duhet të marrë shembull nga Klinton, dhe mënyra se si ajo bashkëpunoi me Barak Obamën, pas përballjes në zgjedhjet presidenciale.
“Të qenurit aq pranë një gruaje, që ka punuar si avokate në investigimin e presidentit Nixon, ka punuar në Fondin e Mbrojtjes së Fëmijëve, ka qenë pionere e të drejtave të grave, Zonjë e Parë, Senatorja e parë femër për Neë York e me pas Sekretarja e Shtetit Amerikan dhe që vazhdon të luftojë për kauzat tek të cilat beson, të jep një sens qëllimi në jetë, të cilin nuk do ta kishe kuptuar që të mungonte, pa qenë në prezencën e një personi kaq të arrirë”.
Arritjet e një personi kuptohen nga një njeri me vlera. Dhe Andi Hoxhaj është një njeri tillë. Ai punon si pedagog në Londër, në Universitetin Warwick. Prej 4 vjetësh jep mësim kyresisht në të drejtën Evropiane dhe Politikat e BE-së, si dhe në të drejtën Administrative dhe Kushtetuese. Ai është larguar nga Shqipëria në moshën 16 vjeçare, pasi aplikoi personalisht në disa gjimnaze, për të pasur një edukim sa më ndërkomëbtar.
“Faktikisht ëndrra ime ishte të bëhesha arkitekt, madje në gjimnaz kam studiuar edhe art. Megjithatë pas disa vjetësh jetesë në Britani, vura re se shumë emigrantë kishin probleme me lejet e tyre të qëndrimit e disa të tjerë për shkak të mosinformimit mbi ligjin, bënin gabime në aplikimet e tyre për lejen e qëndrimit. Kjo më frymëzoi të studioja për drejtësi, për më tepër është një fushë që të jep shumë hapësira dhe mundësi për t’u punësuar. Ky ishte një vendim pragmatik, megjithatë, kurrë nuk kisha menduar se një ditë do te isha pedagog i së drejtës Evropiane, në një universitet mjaft të mirë në Angli”.
Të qenurit pedagog që në moshën 25 vjeçare, nuk ishte aspak e lehtë. Mungesa e eksperiencës, e bënte më të tërhequr dhe me më shumë pasiguri, që me kalimin e kohës u zhdukën, për t’i lënë vendin rritjes profesionale.
“Në vitin e parë si pedagog , kisha disa pasiguri, duke pasur parasysh se disa prej studentëve të mi ishin më të rritur në moshë dhe disa prej kolegëve në unversitet i kisha pasur më parë padagog. Kjo më nervozonte mjaft dhe e shihja të nevojshme t’iu referohesha shënimeve të mia. Ndërsa tani eksperica më ka bërë të kem më shumë konfidencë dhe fakti që ndërkohë mbarova Doktoraturën më ka ndihmuar në zhdukjen e ankthit të fillimit”.
Andi tregon se me daljen e Britanisë nga BE, shumë gjëra kanë ndryshuar, jo vetëm për britankët, por edhe për emigrantët dhe gjithë Evropën. Shumë problematika po dalin në skenë dhe kjo po e vështirëson jetën e gjithësecilit.
“Londra është një nga qytetet më metropolitane në botë, ku fliten më shumë se 300 gjuhë të ndryshme. Në vitin 2004, kur unë u vendosa në këtë qytet, kishte një frymë shumë mikëpritëse ndaj emigrantëve, gjë që e bëri integrimin tim të lehtë. Por, ky sens mikpritjeje ka ndryshuar mjaft pas Brexit, sidomos për ata që sapo kanë emigruar në Londër, të cilët janë vënë në qendër të sulmeve nga ekstremistët. Po ashtu, klima midis atyre që votuan pro dhe kundër u përkeqësua më tej. Natyrisht tregu ekonomik nuk reagoi aspak mire dhe vlera e Pound-it ka rënë konsiderueshëm. Nga ana tjetër, për BE-në ishte hera e parë që një vend me influencë masive si Britania të largohej. Si rrjedhojë, u vendos në dukje nevoja e BE-së për t’u riformuar dhe për të shmangur gabimet e bëra me krizën e debitorëve në vitin 2010 dhe emigrantëve në 2015. Komisioni Evropian po propozon aktualisht disa reforma që të ndërtojë ura midis njerëzve dhe në nëntor do të mbahet një konferencë ku do propozohet një model i ri për Evropën Sociale”.
Vazhdimi i studimeve jashtë Shqipërisë është ëndrra e shumë të rinjve. E pasi këtë gjë e bëjnë realitet, të paktë janë atë që kthehen, apo kontribuuojnë për vendin e tyre. Andi Hoxhaj nuk ka bërë këtë zgjedhje. Edhe pse jeton në Britani, ai ndjek çështjet e aktualitetit shqiptar dhe ka gjetur mënyrën e tij, për t’i shërbyer nga larg, vendit ku lindi.
“Me Shqipërinë mbaj kontakte nëpërmjet familjarëve, pasi një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Studimet në master e doktoraturë, si dhe interesi im për çështjet evropiane, më ka lidhur akoma më ngushtë me Shqipërinë, pasi kam interes mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu në kërkimet e mia shkencore, Shqipërinë e kam marrë si çështje dhe kam panifikuar që të kem një kapitull të veçantë për të, në librin tim të ardhshëm mbi Politikat e BE-së, për luftën ndaj korrupsionit”.
Hoxhaj e di çfarë problematikash ka Shqipëria, e nuk kursehet të flaës për zgjidhjen e tyre dhe të japë piketat që duhen. Shpesh shkruan artikuj të ndryshëm politikë, e herë të tjera bëhet pjesë e aktiviteteve apo tryezave ku flitet për vende si Shqipëria dhe ndahen eksperienca. Thotë se Shqipëria ka problem immediate, por pavarësisht kësaj, ajo duhet të fokusohet edhe në problematika afatgjata, për të zhvilluar vendin.
“Ka shumë probleme që Shqipërinë e mbajnë larg zhvillimit, të tilla si korrupsioni, krimi i ogranizuar, mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor, konkurrenca jo e lirë në treg dhe deri diku një model jo fort i favorshëm për zhvillimin e biznesit. Varfëria dhe pabarazia veç e përkeqësojnë gjendjen. Shumë nga bashkatdhetarët tanë, vazhdojnë të punojnë vetëm për të mbijetur dhe jo për të jetuar. Do na duhen poltika dhe strategji afatgjata në sektorin e punësimit dhe arsimimit që të ndihmojnë në rritjen e potentcialeve të Shqipërisë. Potenciali nuk mungon, por duhet rritur kapaciteti i tij në mënyrë që Shqipëria, ashtu si Estonia dhe Koracia, të bëhen konkurrente të denja për vendin në BE”.
Prej kohësh, Shqipëria nuk iu ka kushtuar shumë rëndësi shqiptarëve jashtë. Vetëm këtë vit, u realizua Samiti i Diasporës, duke hedhur një hap të rëndësishëm në afrimin e shqiptarëve nëpër botë me vendin e tyre. Vazhdimi i bshkëpunimit, do të jetë i frytshëm për të dyja palët, por mbi të gjitha për Shqipërinë. Ajo ka nevojë për eksperienca të reja, njerëz që vijnë nga jashtë dhe sjellin modele. Mbi të gjitha ka nevojë për njerëz si Andi Hoxhaj, që e përfaqësojnë denjësisht dhe i japin emrin e mirë nëpër botë./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply