
Rrugëtimi i një kampioni/ Amar Koçi, mes dorezave të boksit dhe pasionit për kompjuterat
Duken larg njëra-tjetrës, por boksi dhe cybersecurity janë dy fushat e interesit të Amar Koçit, studentit të Inxhinierisë Informatike në Universitetin Europian të Tiranës. I rritur në ring, nën trajnimin e të atit, ai është deri tani mbajtës i disa titujve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Kur fëmijët e moshës së tij shihnin filma animacion apo luanin lojëra në telefon, Amar shkonte me të atin në palestër. Atëherë nuk e kishte vetëdijen se ai moment ishte përcaktues për të ardhmen. Do të bëhej pikënisja e një pasioni dhe rrugëtimi të ri. Ishte 5-6 vjeç kur nisi edukimin për sportin dhe boksin. Sigurisht që nuk mund të ndeshej dhe të luftonte si të rriturit, por ishte koha e duhur për të mësuar disiplinën. “Sporti, dhe sidomos boksi, është disiplinë”, thotë ai.
Atë që babai filloi t’ia mësonte, pothuajse para 15 vitesh, sot ia transmeton vëllait të vogël. Gjithmonë, kur nuk ka ndonjë stërvitje për në kampionate, e merr me vete në palestrën e tyre familjare. “Në fillim kishte turp por tani po mësohet, bën stërvitje, socializohet. Është gjë shumë e mirë për të”, tregon Amar. Nisur nga eksperienca e tij, thotë se mosha e duhur për të filluar ndeshjet është 10-vjeç. Për të e para ka qenë në moshën 11-vjeçare dhe një vit më vonë ka marrë pjesë në kampionat ku zuri vendin e parë.
Amar Koçi është rasti që mishëron shprehjen frazeologjike dardha bie nën dardhë. Ai vërteton se prindërit janë modelet e para. Fëmijët nuk mund të bëhen më ndryshe se prindërit, por mund të tejkalojnë suksesin e tyre. Të njëjtën gjë ka bërë Amar.
Bashkë me vëllain tjetër, Ahmedin, kanë ecur në rrugën e babait boksier, Artur Koçi, i cili prej vitesh është trajneri i tyre dhe drejtuesi i Ekipit Studenti. Ai e nisi boksin në 1997-ën, fill pas mbarimit të ushtrisë dhe tashmë ua ka “trashëguar” dy djemve të mëdhenj, të cilët sot gëzojnë tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Me shumë mundësi, këtij suksesi të përbashkët do t’i përngjitet shumë shpejt edhe djali më i vogël. Kjo sepse boksi për familjen Koçi nuk është thjesht pasion, është pjesë e gjenetikës dhe destinacionit jetësor.
Edhe pse në të 20-at, Amar, më i madhi i fëmijëve, ka siguruar disa arritje domethënëse në ring. Kampion Shqipërie për disa vite, tashmë ai është i njohur edhe ndërkombëtarisht me më shumë se 30 ndeshje të realizuara jashtë vendit. Ka rrëmbyer fitoren për mbi 2/3 e tyre. Titulli më i lartë që mban është ai i nënkampionit të Europës, duke marrë medalje argjendi në vitin 2022, në kategorinë 75 kg. Një vit më vonë u shpall kampion Ballkani në të njëjtën kategori.
Thotë se ndeshjet ndërkombëtare janë mjaft të rëndësishme për të pasur një karrierë të suksesshme. “Konkurrenca më e fortë dhe merr më shumë eksperiencë. Boksi këtë kërkon, përballjen, mund të bësh shumë stërvitje por duhet patjetër të ndeshesh”, thotë Amar.
Pavarësisht se shumicën e gjithë ndeshjeve i ka fituar, ka ndër to që kanë lënë gjurmë për shkak të vështirësisë apo dhimbjes që i kanë shkaktuar. E tillë ishte ajo e këtij viti në qytetin e Durrësit përballë një boksieri nga Greqia. Tashmë ai nuk është më te kategoria U-18, dhe po ashtu garon në fashën 80 kg, që do të thotë se ndeshjet bëhen më të vështira dhe me kundërshtarë më të fortë. “E nisa shumë mirë, por më gjuajti në nofull dhe m’u këputën gjunjët. Nuk u rrëzova, por më merreshin mend. Kur dola nga ndeshja nuk kujtoja se çfarë përballjesh kisha më pas”, tregon më tej Amar, duke theksuar se pavarësisht vështirësisë, rezultati ishte triumfues.
Dëmtime ka marrë edhe në ndeshje të tjera, siç ishte ajo kundër një boksieri iranian në Angli, ku sërish dominoi ndaj kundërshtarit. Në kohë normale, do të duhet një deri në dy javë kohë për rikuperim, por në rastet e kampionateve Amar thotë se nuk e ke këtë luks. Maksimumi, dy ditë janë në dispozicion.
E ndërsa pasionin për boksin ia ka injektuar që në vegjëli babai, gjatë viteve ka zbuluar një pasion të ri që janë kompjuterat. Aktualisht ai vijon studimet në Universitetin Europian të Tiranës në vit të dytë, në programin e studimit “Inxhinieri Informatike”. Për shkak të arritjeve në sporte, universiteti i ka dhënë bursë të plotë studimi. Që në gjenezë, UET ka ndjekur filozofinë e mbështetjes së studentëve të talentuar dhe ekselentë. Çdo vit, dhjetëra bursa jepen për nxënësit apo studentët me arritje të larta akademike, si dhe për studentët e talentuar, siç është edhe boksieri kampion.
Me specializimin në studimet Master, Amar dëshiron të bëhet profesionist i sigurisë kibernetike. Këtë fushë e sheh si më të përshtatshme për të mos u shkëputur nga boksi.
Sekretet e një boksieri
Të pasurit që në fëmijëri të një trajneri, i cili në këtë rast është babai i tij, e ka bërë të mësojë shumë gjëra për boksin dhe kundërshtarin në ring. Por i ka diktuar edhe metodën e të mësuarit, duke pasur nevojën e një udhërrëfyesi. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme për një boksier është eksperienca dhe që fitohet nga ndeshjet. Një boksier mund të stërvitet gjithë kohës, për vite, por nëse nuk i vë në zbatim teknikat në ring, atëherë ato nuk kanë dobi.
Një tjetër element thelbësor për suksesin e ndeshjes është lufta psikologjike. Përtej stërvitjes fizike, përgatitja mendore bëhet garante për rezultatin e përballjes së madhe. “Njoh boksierë shumë të mirë që humbin ndeshjen prej emocioneve. Emocionet pakësohen me eksperiencën, prandaj ajo është shumë e rëndësishme si për aspektin mendor edhe atë fizik”, thotë Amar.
Kjo kaq qenë edhe një nga këshillat kryesore që i ka dhënë i ati përpara çdo ndeshjeje. “Babi na udhëzon kur fillon ndeshja që të rrimë seriozë, ta shohim kundërshtarin në sy dhe të studiojmë gjendjen e tij. Nëse ai duket i tensionuar, atëherë ne marrim avantazh.”
Pavarësisht disiplinës, stërvitjes së fortë, ushqimit të kontrolluar dhe orëve të plota të gjumit, nuk kanë munguar ndeshjet kur ka pasur emocione. Edhe në këto raste, lufta mendore ka qenë po aq e fortë dhe dominuese. “Nuk i shfaqja. Duhet ta gënjesh veten që nuk ke emocione derisa ajo ta besojë se kjo është e vërtetë”, thekson ai më tej.
Titujt e kampionateve botërore, olimpikë apo profesionistë, janë synimet e ardhshme të familjes Koçi. Nuk dihet se cili prej tyre, Amari apo Ahmedi, do ta arrijë më parë këtë stad, por e sigurt është që vizioni dhe ambicia e tyre do të punojë për t’i ngjitur në ringjet më të njohura të botës.
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply