
Sterjo Prifti, oficeri që na njeh me Rehovën
Fshati i gurtë apo fshati francez i Kolonjës. Rehovën mund ta quani si të doni. Mund ta quani edhe fshati piktoresk, mikëpritës po fshati i njerëzve zanatçinj, sepse aty të gjithë kanë një shkollë ose një profesion. Mund të përdorni mijëra cilësime që ju vijnë në mendje, mjafton të shkoni ta vizitoni e të bindeni për vlerat e kësaj Qendre Historike.
Në hyrje të rrugës prej 2 km, nga Erseka, takohesh me Monumentin e Natyrës, Rrapin e Papa Naunit. Pas tij, në hyrje të fshatit të mirëpret monumenti i dëshmorëve. Ndalesa juaj aty duhet të jetë e gjatë. Mos neglizhoni guidën që ju tregon shtëpitë mikëpritëse, kishat apo vendet që duhet të vizitoni. Mos shpërfillni asnjë shenjë që ju tregon rrugën, në të kundërt pyesni banorët ose merrni një udhërrëfyes. Vetëm ata do e bëjnë diferencën sepse juve do ju duket çdo gjë njëlloj, prej guri dhe mes gurëve.
E vendosur rrëzë Gramozit, Rehova bashkëjeton në harmoni me malin e lartë, bimët, të ftohtin dhe egërsinë e dimrit. Bashkëjeton ashtu si shtëpitë e gurta. Të reja e të vjetra, qëndrojnë përqafuar mes pemëve dhe tjegullave të gurit. Bashkëjeton ashtu si brezat. Të moshuarit rrinë e presin të rinjtë, që ikin dhe rikthehen me pushime, apo për të rindërtuar shtëpitë e rrënuara.
Bashkëjeton më së miri me francezët. Vijnë çdo vit, shijojnë ushqimet, mësojnë zakonet dhe pasi largohen, dërgojnë kujtimet dhe përshëndetjet e tyre.
Sterjo Prifti ka një histori interesante me francezët, miqtë e tij më të mirë. Mes librave të shumtë, ruan bllokun që ia ka çuar dhuratë Piero dhe Kristinë. Një bllok që mban fotot dhe urimet e të gjithë turistëve që kanë bashkëjetuar në shtëpinë e tij.
“Këtë bllok ma dhuruan në 2013, kur turistët filluan të vinin për herë të parë në fshatin tonë dhe kemi shënjuar momentet e bukura që kemi kaluar bashkë. Çdo njeri që hyn në shtëpinë tonë, nuk duhet të dalë pa lënë një shënim. Ndërsa turistët, nëse nuk rikthehen, na dërgojnë kartolina, foto nga vende të tjera, përshëndetje apo urime festash. Këtë vit na dërguan kalendarin me pamje nga Lyon”, thotë ai.
Sterjo tregon se ka një marrëdhënie të veçantë me këta njerëz. Përveçse hanë bashkë ushqimet tradicionale, ata ndajnë bashkw gëzimet dhe hidhërimet. Në shtëpinë e tij që cilësohet si një nga 9 shtëpitë pritëse të fshatit, kanë ardhur pak turistë këtë vit.
“Ishte zgjedhja jonë. Na erdhën djemtë nga Greqia, me nipat e vegjël dhe kështu nuk kishim hapësirë. Më pas gruaja u largua me djemtë dhe unë i vetëm nuk ia dal dot”.
Sterjo jeton në fund të fshatit, në një shtëpi që e ka ndërtuar para 30 e ca vjetësh. Një shtëpi tradicionale, me qilima dhe mobilje prej druri, pak të tejkaluar nga koha. Aty gjen gjithçka jo moderne. Në oborr gjen kopshtin e mbjellë me lakra, domate, speca, kunguj. Mbushur plot me lule. Nuk ka shtëpi kolonjare që nuk ka lule.
Por, Sterjo oficeri ka një pasion tjetër. Prej 30 vjetësh ai studion pemën familjare të fisit të Priftëllarëve, për të gjetur gjurmët e gjakut. Ka arritur t’i zbulojë deri në 8 breza, por ende s’ka botuar diçka. Punon fort me të kaluarën. Mban shënime, episode, ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur në fshat. Veten e quan kronikan dhe shpreson që në të ardhmen këto shënime të gjejnë dritën e botimit.
“Ndoshta krijohet mundësia dhe i botoj“, thotë ai, teksa blloqet i vendos radhë në tavolinë. Më tregon vulën personale për librat, që mban emrin e tij. “Nuk dua që të më humbasin, janë të çmuar”. Ndërsa muret e dhomës janë histori më vete. Mbushur me foto, tregojnë Rehovën e vjetër, tregojnë liqenin e Gramozit, tregojnë shokët e tij të diplomimit dhe çastet e bukura të familjes. Nuk mungojnë proverbat e ilustruara në piktura. Teksa më ka treguar gjithçka për veten dhe francezët, më jep edhe një këshillë të vyer. “Mëso frëngjishten, është gjuha më e bukur për femrat”./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply