
Xhevahire Kolgjini, gruaja që qep kosumet popullore
Xhevahire Kolgjini është një grua e rrallë, ashtu siç ka edhe emrin. Është nga ato gra ku gërshetohet pasioni, përpjekjet, vështirësitë dhe vullneti i paepur. Në panairinin e bujqësisë ajo ka ardhur me kostume popullore, sa të veçanta aq dhe të rralla për t’u gjetur në ditët e sotme.
Xhevahirja ka lindur në Kukës, por prej 17 vjetësh jeton në Bathore, Tiranë. Aty ka dyqanin e saj, që në fakt është sa rrobaqepësi aq edhe ekspozim i veshjeve që ajo qep. Prej duarve të saj nuk dalin vetëm kostume popullore, por edhe qëndisma, punime me dorë, veshje të ndryshme të përditshme apo për raste festive. Por, pasioni i saj është orintuar gjithmonë drejt veshjeve popullore.

“Në fillim e kam nisur me kostumin e djalit tim. I kam bërë një veshje me motive popullore dhe kur kam shkuar në një dasmë i kanë bënë foto pafund. Madje një çift ka paguar 50 mijë lekë dhe e mori me qera për djalin e vet. Pastaj filluan kërkesat. Unë vazhdova të bëja kostume popullore të zonave të ndryshme. Në fillim bëra të Tiranës, pastaj të Hasit, bëra të Tropojës, madje e kam orgjinale, kam bërë të Mirditës, të Matit, të Krujës, Skarparit, Korçës, Fushë Kosovës, të Çamërisë dhe shumë zonave të tjera.”
Ajo tregon se për veshjet popullore mundohet për të gjetur materialin që i përshtatet. Disa herë i gjen copat të gatshme, i ble dhe më pas i qëndis dhe herë të tjerë mundohet t’i prodhojë vetë me anë të tezgjahut. Duke qenë se sjellin traditën, kostumet mbeten shumë të kërkuara.
“Janë të kërkuara. Kemi bërë punime për nxënësit e shkollave dhe aktivitet që organizohen, apo për dasma. Për shkollat kemi lënë një çmim fiks, pasi zona e Bathores është me pak probleme dhe ne iu kemi caktuar një çmim prej 5 mijë lekësh. Ndërsa për dasma i japim me qera me çmime të ndryshme, 8, 10 mijë lekë apo edhe më shumë.”
Në portret, Xhevahirja rrezaton një lloj force, mirësie, përkushtimi. Duket sa e guximshme aq edhe e talentuar në atë që bën. Nënë e 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe jë djali, është gjithashtu edhe kryefamiljare. Tashmë që vajzat i ka të martuara, sytë i ka te djali, më i voglit i fëmijëve. Me shumë krenari tregon se ai është shpallur prezantuesi më i mirë, ndërsa ajo vetë është shpallur kostumografja më e mirë.
“Një vit pasi më ka vdekur burri, unë kam filluar me punimet e dorës. Kam filluar që më përpara dhe pas fatkeqësisë e kam shtuar edhe më shumë. E kam kthyer në një mënyrë jetese. Gjithashtu, unë punoj edhe për një amsambël privat. Sipas valleve që ata kërcejnë, unë prodhoj veshjet.”
Xhevahirja tregon se ka pasur shumë të interesuar në panair. Pyesin sidomos për kostumet e saj orgjinale të Hasit dhe Mirditës, por nuk iu shpëton vëmendja as ndaj kostumeve të tjera. E teksa m’i tregon të gjitha, as unë nuk jam në gjendje të bëj diferencën. Më duken aq shumë dhe aq të vështirë për t’u bërë, me një lloj saktësie që nuk të fal as milimetrin. Teksa e pyes se si i njeh kostumet e trevave shqiptare dhe si arrin t’i prodhojë, ajo ka vetëm një përgjigje: “Pasioni. E dua shumë këtë punë”./LP
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply