
Zërat nga Berk, evokime therëse që i vijnë çdo vit Panairit të Librit në Shqipëri
“Librat më të mirë janë ata që u thonë atë që ju tashmë e dini.” Jeta jovanitoze dhe e mundimshme e Eric Arthur Blair e bëri George Orwell të thoshte disa të vërteta të mëdha. Herë pas here shoqëria ka nevojë për figura apo akte të tilla për të kujtuar, për faktin e vetëm dhe të thjeshtë: Njeriu është i “dënuar” të harrojë!
Botimet Berk e kanë pjesë të filozofisë së vet evokimin. Ideja e themelimit dhe vijimësia në këto katër vite e gjysmë e kanë treguar më së miri. Kur Anna Shkreli u kthye përfundimisht në Shqipëri nga Brex-i, pas studimeve master dhe punës në Londër me shtëpinë botuese PanMacmillan, e kishte fokusin shumë më të qartë. Dëshira e vrullshme për t’u bërë shkrimtare ishte venitur gjatë studimeve bachelor në Universitetin e Bolonjës, por ishte ndezur, kishte ndriçuar një ide e re: ajo e të qenit një editore.
Studimet në Itali për Letërsi dhe Trashëgimi Kulturore, dhe ato për Redaktim në City University London e kishin bërë të kuptonte se sa i rëndësishëm ishte roli i edituesit, i krijimit të një klime më të hapur për autorët, përkthyesit, bashkëpunëtorët, por edhe i një faqeje të re për kulturën e botimit në Shqipëri.
U desh të pritej 2020-ta, viti që për shumëkënd shkakton larmishmëri emocionesh, për të çelur një rrugë me hapjen e Qendrës së Botimeve dhe Kulturës- Berk. Zgjodhi shtëpinë e gjyshes, një shtëpi e ndërtuar gati një shekull më parë në rrugën ‘Him Kolli’, Tiranë, si një thirrje për të ruajtur trashëgiminë, historinë, kulturën, të kaluarën. E restauroi dhe e ktheu në qendër të hapur për të gjithë, ku lexohet, punohet, diskutohet, mbi librin e gjithçka tjetër që i bën mirë shoqërisë.
Ndërsa fondi i botimeve rritet nga viti në vit, Anna Shkreli tregon se Berk është përqendruar në kritikë shoqërore, në filozofi, kryesisht poststruktularizëm dhe po ashtu sjell një rrymë të plotë duke rizbuluar autorët e viteve 1930. “Pastaj kemi gjuhësi, filozofi ligjërimi, arkitekturë dhe letërsi tërësisht bashkëkohore.”
Kush do të mbetet për të lexuar shqip?
Panairi i Librit 2024 e gjen Berkun në katin e parë të Pallatit të Kongreseve me një stendë më të madhe, më të bukur, por edhe me një thirrje të re. Rrallë mund t’i ketë shpëtuar kujt slogani i këtij viti, shënuar me shkronja kapitale në të kuqe mbi germat e imta e të padukshme të lajmeve të gazetave: Kush do të mbetet për të lexuar shqip?
Një thirrje që vjen pas rezultateve të Censusit, publikuar në qershor të 2024, ku rrudhja e popullsisë tashmë duket se po krijon fatin e vet tragjik.
“Unë nuk e di se çfarë industrie kulturore mund të mbijetojë në këtë pikë, sidomos një industri që është pazgjithshmërisht e lidhur me gjuhën. Mbase muzika, duke qenë me një gjuhë më ndërkombëtare, mund të mbijetojë. Kurse përsa i përket artit të shkrimit i cili lidhet me një gjuhë që flitet nga këta banorë, aty fillon një krizë”, shprehet Shkreli.
Berk çdo vit ka zgjedhur të vijë me një mesazh, duke evokuar një çështje, një problematikë, një sfidë të vitit të panairit. Botuesja Shkreli tregon se në 2022-shin ndërtuan një skelë në stendën e tyre, për të kritikuar faktin se sa keq është industria kulturore në Tiranë në krahasim me industrinë e ndërtimit, që duket se është e vetmja që lulëzon në hapësira gjeografike dhe mendore.
Një vit më parë, kur sapo kishte nisur sulmi i Izraelit mbi Palestinën, konflikti i një dhimbjeje pafund, Berk zgjodhi të vendosë dy ekrane në stendë, duke shkruar mbi to në anglisht: “We are pretending this is not a house on fire”.
Duke u ndalur më tej te kriza e kulturës, e librit, e botimeve, Anna Shkreli thotë se përveç shpopullimit, lexusit po pakësohen për faktin se brezi i ri preferon të lexojë në anglisht. “Këto janë të dhëna të marra nga librarët që tregtojnë libra në Shqipëri, të cilët tregojnë se më shumë prej gjysmës së shitjeve të tyre është në anglisht.”
Shton se këta faktorë do të sjellin rrënimin e shkrimtarisë. Madje, që tani vihet re mungesa e përkthyesve në gjuhë specifike.
Pavarësisht se Berk nuk është shtëpia më e madhe botuese në treg, ajo ka krijuar lexuesit e saj besnik. Lexues që e ndjekin, vijnë në panair, kërkojnë sugjerime të reja, të kënaqur nga leximet e mëparshme. Kjo sipas Anna Shkrelit është një tregues i krijimit të kanalit të komunikimit me lexuesin dhe përgjigjjes së kërkesave apo “urisë” së tij për botëkuptime të reja.
“Unë e kam shumë të vështirë të sugjeroj gjëra për të cilat nuk jam 100% e bindur që njerëzve do t’iu pëlqejnë”, thekson Shkreli, duke shtuar se prishja e marrëdhënies së besimit mes botuesit dhe lexuesit e ka shkatërruar industrinë e botimit në Shqipëri. Thotë se marrja e botimeve me pagesë, pa i kaluar në filtra dhe duke i paraqitur të gjithë si librat më të mirë, ka shkatërruar raportin e besimit.
“Ne e kemi politikë editoriale, nuk botojmë me pagesë. Nëse ne nuk mendojmë që një libër mund ta shtyjmë, që lexuesi ta blejë dhe të ecë, nuk e botojmë fare. Përndryshe ajo është një prishje e kontratës së pashkruar.”
Ndoshta kjo e bën të vështirë mbijetesën, por jo të pamundur. Jo për aq kohë sa gjenden mundësi të reja dhe sillen gjëra cilësore që gjithmonë i thonë diçka lexuesit e kulturës. Duke e njohur sektorin e botimeve jashtë, por edhe në Shqipëri, pas punës te Botimet Çabej, Shkreli thotë se i ka ditur gjithmonë problematikat dhe sfidat e këtij sektori. Por ato e humbën drejtpeshimin, të përballura me dëshirën e pasionin e saj për librin.
“Ne këtë punë e bëjmë, sepse na pëlqen. Na pëlqen ta jetojmë jetën tonë në këtë lloj mënyre dhe deri tani na ka mundësuar të jetojmë me punën tonë. Në momentin që kjo gjë s’do të ndodhë më, do të përpiqemi të gjithë përvojën që kemi fituar ta japim në një sektor tjetër.”
Për të gjithë lexuesit e angazhuar, që dëshirojnë të zbulojnë gjëra të reja, botuesja e Berk sugjeron dy botime të cilat i ka fort përzemër: “E ardhmja” e Marc Ague dhe “Ngjarje nga zhgjëndrra e tanishme” nga Max Blecher, përkthyer nga Ardian Kycyku.
Së fundmi ajo ka marrë një nismë të guximshme duke i shtuar kryeqytetit librarinë më të re, “Valentini”, e cila mban emrin e jezuitit me origjinë italiane, por njohës dhe kontribues i rëndësishëm i kulturës dhe gjuhës shqipe, At Zef (Giuseppe) Valentini. Libraria është e hapur për të gjithë botuesit, shkrimtarët, njerëzit e letrave, duke mos pasur politika kufizuese editoriale.
“Libraria është shumë e re, nuk e dimë se si do të funksionojë. Është një sfidë shumë e madhe. Do të përpiqemi ta mbajmë me të gjitha mënyrat siç mbajmë edhe Berk”, sqaron Anna Shkreli.
“Valentini” është një librari e lirë, e orientuar nga lexuesit, që pret të shkruajë historinë e saj në qytet./Luiza Pinderi
You may also like
Archives
Calendar
M | T | W | T | F | S | S |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Leave a Reply