Rreth botës për të fotografuar gratë, 39- vjeçarja: Bukuria nuk ka moshë, as ngjyrë

Mihaela Noroc duket se po jeton ëndrrën e saj. 39-vjeçarja rumune i ka kaluar 13 vitet e fundit duke udhëtuar nëpër botë dhe duke fotografuar gra në vende dhe kontinente të ndryshme.

E gjitha nisi në 2013-ën. Me çantën dhe aparatin në krah, Mihaela nisi rrugëtimin për të realizuar projektin “Atlasi i Bukurisë: Gratë e Botës në 500 Portrete”. Ajo ka udhëtuar në afro 100 vende, nga Azia në Afrikë, Evropë dhe Amerikë, duke fotografuar gra të ndryshme, me të cilat ka folur dhe ka dëshmuar historitë dhe rrugëtimet e pangjashme.

Përmes këtij projekti të pazakontë, ajo është përpjekur të tregojë se bukuria është shumë më tepër se ajo që duket në media. Sipas saj, bukuria e vërtetë nuk njeh kufij, nuk ka të bëjë me vendin gjeografik, nuk ka të bëjë me pamjen, por me të gjitha karakteristikat që e bëjnë një qenie njerëzore të mirë. Në një botë të madhe dhe me ndasi të shumta, “Atlasi i Bukurisë” tregon një perspektivë të ndryshme, duke promovuar shpresën dhe dashurinë.

“Për mua, bukuria e vërtetë nuk ka moshë, ngjyrë apo trende. Mund ta gjesh në Afrikë ose në Evropë, në një fshat ose në një rrokaqiell, në një buzëqeshje, në një gjest, në një vështrim intensiv, në disa rrudha ose në një histori”, thotë ajo.

Pas projektit të saj të parë “Atlasi i Bukurisë; Gratë e Botës”, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi një vajzë. Kjo e frymëzoi të niste projektin e saj të ri “Vajzat e Botës”, duke iu dhënë një hapësirë vajzave që të ndjehen të vlerësuara, pavarësisht se nga vijnë dhe ku jetojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *