Këngëtarja e muzikës pop DARA siguroi vendin e saj në skenën ndërkombëtare duke fituar Eurovisionin me këngën “Bangaranga”. Ajo fitoi kompeticionin me një epërsi prej 173 pikësh ndaj këngës së vendit të dytë, duke vendosur kështu një rekord të ri për Festivalin e Këngës europiane.
Në vend të dytë u rendit Izraeli, me këngën “Michelle” nga Noam Bettan, ndërsa në vend të tretë doli Rumania, e përfaqësuar nga Alexandra Căpitănescu dhe Choke Me. Australia dhe Italia plotësuan 5 vendet e para, duke zënë përkatësisht vendin e katërt dhe të pestë.
DARA tërhoqi vëmendjen gjatë javës së Eurovisionit me vallëzimin e saj intensiv dhe koreografinë e arrirë. “Duket si një ëndërr”, do të shprehej ajo gjatë konferencës përmbyllëse të edicionit të 70-të të Eurovisonit.
Titulli i këngës “Bangaranga” është zhargon xhamajkan që do të thotë “trazirë”. “Bangaranga, është një ndjenjë që të gjithë kanë brenda vetes. Është momenti kur zgjedh të udhëhiqesh nga dashurria dhe jo nga frika, dhe kjo është një energji e veçantë”, ka shpjeguar ajo më herët për mediat.
Shqipëria performoi mjaft mirë në këtë edicion, duke u pozicionuar në vendin e 13-të me këngën e Alis, “Nan”.

Kush është DARA?
Darina Yotova lindi në qytetin portual të Detit të Zi, Varnë dhe u diplomua në Shkollën Kombëtare të Arteve.
Ajo filloi të këndonte muzikë tradicionale folklorike bullgare që në moshën shtatë vjeçare, por më vonë u pozicionua drejt muzikës pop bashkëkohore.
DARA është një emër i njohur në Bullgari, fama e së cilës u rrit pas pjesëmarrjes në “X Factor Bulgaria”, në vitin 2015.
Kënga e saj debutuese, K’vo ne chu (Çfarë nuk dëgjove), e publikuar në vitin 2016, e renditt në krye të listave muzikore brenda vendit. Ndër vite karriera e saj është shënuar nga çmime, koncerte me bileta të shitura dhe një bazë të madhe fansash, ndërsa këngët dhe videot kanë grumbulluar miliona shikime në platformat online.
Në vitin 2018, DARA u emërua Artistja më e Mirë Femër në BG Radio Music Awards. Tre vjet më vonë, ajo u bë trajnerja më e re në “The Voice of Bulgaria”, dhe në vitin 2024, ajo mori pjesë në “Dancing Stars”. Vitin e kaluar u zgjodh për të hapur koncertin e Robbie Williams në Sofje.
Bullgaria u rikthye në Eurovision këtë vit pas 4 vitesh, pasi në 2022 kishte anuluar pjesëmarrjen për arsye financiare. Vendi u bë pjesë e Eurosong në vitin 2005.
Suksesi i DARA-s i ka dhënë shoqërisë bullgare një moment të pazakontë uniteti në një vend të fragmentuar, duke ngjallur kujtimet e vitit 1994, kur ekipi kombëtar i futbollit përfundoi i katërti në Kupën e Botës.
