“Njerëzimi, i krijuar nga Zoti në gjithë madhështinë e tij, sot përballet me një zgjedhje vendimtare: ose të ndërtojë një Kullë të re të Babelit, ose të ndërtojë qytetin në të cilin Zoti dhe njerëzimi banojnë së bashku.”
Janë këto fjalët hapëse të enciklikës së parë të Papa Leo XIV, Magnifica Humanitas (Njerëzimi Madhështor), i cili përqendrohet në mborojtjen e njeriut në kohën e inteligjencës artificiale. Enciklikat janë një nga format më të larta të mësimdhënies nga një papë tek 1.4 miliardë anëtarët e kishës katolike dhe zakonisht përshkruajnë prioritetet e tij, duke nxjerrë në pah çështjet kryesore në shoqëri.
Papa Leo, i cili ka lindur në Çikago dhe është papa i parë i lindur në SHBA, iu referua “një ringjalljeje shqetësuese të luftës si një instrument i politikës ndërkombëtare” dhe tha se inteligjenca artificiale po ndihmonte në lehtësimin e normalizimit të luftës. Ai ka denoncuar “kulturën e pushtetit” që nxit rritjen e shpejtë të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se teknologjia duhet t’i nënshtrohet kufizimeve etike të rrepta, pasi ajo depërton në gjithçka.
“Për këtë arsye, zhvillimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në luftë duhet t’i nënshtrohet kufizimeve më të rrepta etike, për të garantuar respektin për dinjitetin njerëzor dhe shenjtërinë e jetës dhe për të shmangur një garë për të zhvilluar armë të tilla”, shkroi ai.
Papa Leo kërkoi çarmatimin e inteligjencës artificiale, ndërsa deklaroi se disa sisteme autonome armësh janë praktikisht përtej çdo mundësie njerëzore për t’u kontrolluar.
“Çarmatosja e inteligjencës artificiale do të thotë çlirimi i saj nga mentaliteti i konkurrencës së ‘armatosur’”, shkroi ai. “Të çarmatosësh nuk do të thotë të refuzosh teknologjinë, por ta parandalosh atë nga dominimi i njerëzimit”, duke shtuar se teknologjia duhet të jetë “miqësore me njeriun”, e arritshme për të gjithë dhe e hapur për diskutim dhe debat.
Në një fragment që dukej se i drejtohej Silicon Valley, Papa paralajmëroi se pushteti mbi sistemet dixhitale, infrastrukturën dhe të dhënat nuk i takon shteteve, por aktorëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë, dhe se kur një pushtet i tillë përqendrohej në duart e pak njerëzve, ai tentonte të bëhej i errët dhe t’i shmangej mbikëqyrjes publike, duke rritur rrezikun e formave të shtrembëruara të zhvillimit që krijojnë varësi, përjashtime, manipulime dhe pabarazi të reja”.
Christopher Olah, bashkëthemelues i Anthropic i cili ishte ulur pranë Papës, tha se ekzistonte një mundësi reale që inteligjenca artificiale të zëvendësonte punën njerëzore në një shkallë shumë të madhe. “Nëse kjo ndodh, mbështetja e të zhvendosurve do të jetë një imperativ moral me përmasa historike”, tha ai.
Përveç inteligjencës artificiale, dokumenti fliste edhe për skllavërinë. Leo, historia familjare e të cilit përfshin si skllevër ashtu edhe skllavërues, shkroi: “Është e pamundur të mos ndiesh pikëllim të thellë kur mendon për vuajtjet dhe poshtërimin e pamasë që kanë përjetuar kaq shumë njerëz, në kontrast të plotë me dinjitetin e tyre të pamatshëm si persona të dashur pafundësisht nga Zoti… Për këtë, në emër të kishës, kërkoj sinqerisht falje.”
Papë të mëparshëm kanë kërkuar falje për përfshirjen e të krishterëve në tregtinë transatlantike të skllevërve. Por asnjë papë nuk e ka pranuar publikisht, e lëre më të kërkojë falje, për rolin që vetë papët luajtën në dhënien e sovranëve evropianë autoritet të qartë për të nënshtruar dhe skllavëruar “të pafetë”.
