Ja librat e ndaluar në Bibliotekën Manifesto të hapur nga Dua Lipa

Lajmi më interesant i javëve të fundit, në sektorin e librave, ishte se Dua Lipa hapi bibliotekën e saj të librave të ndaluar. Para se të sqarojmë se ky lajm nuk është aspak i pazakontë për këngëtaren shqiptare me famë botërore, le të hedhim një sy brenda saj.

Quhet Biblioteka Manifesto dhe është një koleksion i përhershëm prej 100 librash. Ndodhet brenda një prej librarive më të bukura në botë, pikërisht në Livraria Lello në Porto, Portugali.

Biblioteka vjen si një partneritet midis Service95, themeluar nga këngëtarja, dhe Livraria Lello, duke bashkuar tituj që kanë qenë subjekt i debatit publik, janë ndaluar të ribotohen ose janë hequr nga kurrikulat, duke bërë që të harrohen me kohën. 100 librat janë të grupuar sipas katër kategorive: pushteti, kontrolli, zëri dhe kujtesa.

Pushteti shqyrton se kush mban ndikim, kush e sfidon atë dhe kush mund të përcaktojë narrativat që trashëgojmë. Seksioni përfshin “Seksi i Dytë” nga Simone de Beauvoir, “Felon” nga Reginald Dwayne Betts, “I Lirë” nga Lea Ypi, “Një ditë, të gjithë do të kenë qenë gjithmonë kundër kësaj” nga Omar El Akkad dhe “1984” nga George Orëell.

Kontrolli hartëzon mekanizmat përmes të cilëve kufizohet liria e mendimit, si: mbikëqyrja, propaganda, ideologjia dhe instrumentet më të qeta të presionit institucional. Në këto rafte: “Rrëfenja e shërbëtores” nga Margaret Atwood, “Gjyqi” nga Franz Kafka, “Policia e kujtesës”nga Yoko Ogawa dhe “Ai Weiwei mbi Censurën”, nga artisti dhe aktivisti kinez.

Zëri amplifikon perspektivat që janë përjashtuar ose anashkaluar sistematikisht. Seksioni përmban “Ngjyra e purpurt” nga Alice Walker, “Vargjet satanike” nga Salman Rushdie, “Në Tokë jemi thjesht të mrekullueshëm” nga Ocean Vuong dhe “Pena ime është krahu i një zogu”, trillim nga gratë afgane.

Kujtesa shqyrton marrëdhënien midis historisë dhe harresës. Këto libra ruajnë dëshminë personale dhe kolektive përballë harresës së qëllimshme, veçanërisht në kontekstet e luftës, diktaturës, mërgimit dhe padrejtësisë. Midis tyre: “Pachinko” nga Min Jin Lee, “Patriot” nga Alexei Navalny, “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera dhe “Librat e Jakobit” nga Olga Tokarczuk.

Siç e thotë Dua: “Kjo bibliotekë është një vend i shenjtë për librat që janë zhdukur, për autorët, guximi i të cilëve demaskon strukturat e pushtetit dhe kontrollit, dhe për lexuesit që refuzojnë t’u thuhet se cilin libër lejohen të lexojnë. Jeni të ftuar ta vizitoni dhe të vendosni vetë se çfarë i takon këtyre rafteve. Sepse ndonjëherë gjëja më subversive që mund të bëni është të lexoni një libër dhe pastaj të flisni për të.”

Pse kjo lëvizje e Dua Lipës nuk ishte e papritur?

Dua Lipa na ka rrëfyer në shumë forma se është një lexuese dhe një mikeshë e mirë e librit. Herë pas herë, në postimet e saj, gjen tituj dhe rekomandime shumë interesante dhe të vlefshme për shumëkënd. Madje libri do të bëhej sebepi për njohjen e saj me aktorin Callum Turner, me të cilin u martua në fund të muajit maj.

Këngëtarja me origjinë shqiptare nuk ka mbetur thjesht te leximi. Ajo është bërë një aktiviste e librit.
Në fillim të vitit 2022, ajo themeloi Service95, një platformë online mbi stilin artin, kulturën, librin etj.
E po ashtu, një vit më parë, Dua Lipa nisi podcastin e saj Service95 Book Club, ku zhvillon bashkëbisedime me autorë të ndryshëm. E po ashtu, ajo ndan rekomandime mbi libra dhe autorë që janë të preferuarit e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *