Studiuesit e Harvardit iu deshën tridhjetë e tre vjet për të zbuluar sekretin e një jete të mirë dhe të lumtur . Hulumtimi ndoqi jetën e shumë njerëzve dhe në pika të ndryshme kohore, për të arritur të deshifrojnë se çfarë na bën të lumtur.
Duke filluar nga viti 1938, Dr. Arlie Bock i Shkollës Mjekësore të Harvardit u përqendrua te 268 studentë të vitit të parë në universitet. Pjesëmarrësit ranë dakord t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të gjera fizike, të përgjigjeshin në pyetësorë dhe të intervistoheshin gjatë gjithë jetës së tyre për të ndihmuar studiuesit të arrinin qëllimin e tyre.
Nga 268 pjesëmarrësit, ndryshimet më të rëndësishme ndodhën tek burrat në të 40-at. Për shembull, njëri u bë president i Shteteve të Bashkuara (John F. Kennedy), një autor i famshëm, dhe katër kandiduan për senator. Sigurisht, kishte edhe shumë që patën përvoja shumë të pakëndshme dhe u shkatërruan.
Dhe ndërsa nuk u dha një përgjigje e qartë, pasi faktorët që çonin në lumturi ndikoheshin nga shumë gjëra, pjesëmarrësit më të lumtur ishin përqendruar në tre elementët e mëposhtëm:
Sukses me një plan afatgjatë
Sipas rezultateve të anketës, shtylla e parë për një jetë të mirë është suksesi që bazohet në përpjekje dhe zgjat. Pjesëmarrësit në studim përjetuan shumë ulje-ngritje në jetën e tyre. Pra, studiuesit nuk u përqendruan në asnjë moment të vetëm, por në ndikimin afatgjatë të përvojave të tyre. Rezultatet treguan se një vështirësi ose pengesë në jetë nuk do të thotë që ne do të qëndrojmë larg suksesit dhe jetës së mirë përgjithmonë. Përkundrazi, ata që u përqendruan në të ardhmen, i lanë pas vështirësitë dhe shikuan përpara, arritën të kishin sukses në fund.
Nga ana tjetër, ata që arritën famë të madhe shumë herët nuk ishin gjithmonë të suksesshëm në jetë. Për shembull, John Hines ishte pjesëmarrësi model në studim. Ai ishte i martuar, i suksesshëm në karrierën e tij dhe shkëlqeu në shkollë dhe studime. Por në të 30-at, ai filloi të pinte duhan dhe alkool, pati një lidhje jashtëmartesore dhe vdiq papritur.
Në ekstremin tjetër ishte një pjesëmarrës tjetër, Godfrey Camille. Ai kishte tentuar vetëvrasje dhe nuk kishte qenë në gjendje të kapërcente traumat e fëmijërisë. Në moshën 35 vjeç, ai ndjeu “diçka të ndryshonte brenda tij”. U bë psikiatër dhe përdori përvojat e jetës për të ndihmuar të tjerët. Studiuesit zbuluan se kur vdiq, ai ishte bërë një nga pjesëmarrësit më të lumtur në studim.

Inteligjenca emocionale
Studiuesit zbuluan se ata që iu përgjigjën sfidave të jetës në mënyrë më pozitive dhe energjike ishin më të shëndetshëm mendërisht dhe emocionalisht sesa ata që i shihnin gjërat më negativisht. Ata gjithashtu zbuluan se deri diku inteligjenca emocionale mund të mësohet dhe përmirësohet me kalimin e kohës, megjithëse disa nga pjesëmarrësit filluan me tregues shumë pozitivë të këtij tipari dhe më vonë zhvilluan zakone të pakëndshme (shembulli i Hines vlen edhe këtu). Studiuesit thonë se inteligjenca emocionale mund të zhvillohet dhe përmirësohet me kalimin e kohës dhe kontribuon në rritjen personale dhe profesionale.
Marrëdhëniet
“Vetmia vret. Është po aq e fuqishme sa alkoolizmi ose cigaret “, tha Robert Waldinger, profesor i Harvardit, anëtar i komitetit kërkimor dhe psikiatër, në një fjalim në të cilin prezantoi rezultatet e studimit. Një nga faktorët më të rëndësishëm për një jetë të mirë ishin marrëdhëniet afatgjata dhe kuptimplota. Kishte një korrelacion të drejtpërdrejtë midis lumturisë individuale dhe lumturisë që ndiejmë në një marrëdhënie.
“Njerëzit që ishin të kënaqur me marrëdhënien e tyre në moshën 50 vjeç ishin më të shëndetshëm në moshën 80 vjeç. Marrëdhëniet e forta ndihmojnë në vonimin e rënies mendore dhe fizike. Kujdesi për trupin është i rëndësishëm për një jetë të mirë, por mbajtja e marrëdhënieve të mira është po aq e rëndësishme”, vuri në dukje Robert Waldinger.
Faktorë të tjerë që mund të çojnë në një jetë të mirë dhe të lumtur janë socializimi, të dish kur të heqësh dorë, ndershmëria në marrëdhënie dhe vlerësimi për të dashurit.
