Helena e Trojës ende mbetet një figurë e paqartë sa i përket rolit që pati ose jo në Luftës e Trojës. Figura mitologjike ishte vajza e Zeusit dhe Ledës, mbretëreshës së Spartës. Ajo është një personazh në poemën epike të Homerit “Iliada” ku përshkruhet si gruaja më e bukur e Greqisë dhe është fajësuar për shkaktimin e paqëllimshëm të Luftës së Trojës, pavarësisht se kjo gjë i ndan ekspertët dhe studiuesit e historisë.
Profesori i historisë antike, Jan Haywood, në një artikull për “ The Conversation” shkruan se në “Iliadë” shkaku i luftës është i paqartë. Homeri nuk u ofron dëgjuesve një shpjegim të lehtë se pse grekët ishin të gatshëm të merrnin pjesë në një konflikt kaq të gjatë 10-vjeçar. Ndërsa Helena e pranon vazhdimisht rolin e saj në ndezjen e konfliktit, personazhe të tjerë, si Priami, refuzojnë ta fajësojnë atë. Perënditë greke – të cilët akuzohen për organizimin e këtij konflikti të madh – dhe princi trojan Paridi mbahet gjithashtu përgjegjës.
Në historinë e mëvonshme greke, shumë autorë iu përgjigjën në mënyra të ndryshme çështjes së rolit të Helenës në luftë. Në disa pjesë të Greqisë, ajo nderohej si perëndeshë.
Haywood shkruan se poeti Stesikorus, i cili jetoi rreth vitit 600 p.e.s., supozohet se shpifi Helenën – dhe u verbua pasi e bëri këtë. Historia thotë se ai e rifitoi shikimin pasi mohoi që Helena kishte shkuar ndonjëherë në Trojë. Në vend të kësaj, ai sugjeroi me mjaft gjallëri se ishte një “fantazmë” e Helenës që ishte arratisur atje.
Rreth 150 vjet më vonë, i ashtuquajturi “babai i historisë”, Herodoti i Halikarnasit, theksoi gjithashtu rolin e çuditshëm të luajtur nga Helena në Luftën e Trojës. Ai citoi një informator, në dukje persian, për të nënvizuar dobësinë e pretendimit të grekëve, duke sugjeruar se ishte e pazakontë në atë kohë që fuqitë e mëdha të zgjidhnin opsionin e shkatërrimit për shkak të humbjes së një gruaje. Sipas këtij burimi: “Popujt e Azisë nuk i kushtonin vëmendje rrëmbimit të grave të tyre. Megjithatë, grekët, për hir të (Helenës), rekrutuan një ushtri të madhe, pastaj erdhën në Azi dhe shkatërruan pushtetin e Priamit.”

Portretizimi i Helenës
Figura e Helenës ka qenë shpesh pjesë letërsisë dhe veprave të artit, përmes gravurave apo pikturave të ndryshme. Disa nga portretizimet më të njohura në pikturë vijnë nga shekulli XVIII, nga artistë si Jacques Henri Sablet, Dante Gabriel Rossetti apo Gavin Hamilton.
Megjithatë ajo arriti një audiencë të re përmes kinematografisë, kur në 2004 Wolfgang Petersen solli filmin “Troja”. Filmi, një adaptim i lirshëm i poemës së lashtë greke të Homerit, “Iliada”, mbulon ngjarjet kryesore të Luftës së Trojës. Afër fillimit të rrëfimit, princi trojan Paridi bie në dashuri me mbretëreshën spartane Helenën, e cila është e martuar me mbretin Menela. Çifti largohet fshehurazi për në Trojë, ku mirëpriten me kujdes nga sundimtari i Trojës, Priami.

Portretizimi më i fundit në kinema, që pritet të ngjallë sërish debat, është filmi i regjisorit Christopher Nolan, i njohur dhe vlerësuar botërisht me filma si: “Interstellar”, “Inception”, “The Dark Knight”, “Oppenheimer”. Ndryshe nga ajo ç’ka jemi mësuar deri tani, Nolan zgjedh ta portretizojë Helenën si një grua me ngjyrë. Në intervistën e fundit për “Time” ai konfirmuar se Helena e Trojës do të luhet nga aktorja Lupita Nyong’o, e njohur më së shumti me filmin “Black Panther”. Madje, ai ka zgjedhur t’i besojë asaj dy role. Fituesja e çmimit Oscar luan gjithashtu rolin e motrës së Helenës, Klitemnestrës.
Filmi del në kinema në 17 korrik dhe pritet të jetë vepra e jetës së regjisorit Nolan, një film për të cilin ai ka pritur 20 vjet që ta realizojë.
