Falsifikimi i provave me inteligjencë artificiale i dha fund karrierës së aktorit korean

Kim Soo-hyun ishte një aktor i famshëm në Korenë e Jugut deri një vit më parë. Plasja e një skandali, ku ai akuzohej se kishte dalë në takim me një aktore të mitur, shkatërroi karrierën e tij. Së fundi, policia koreane ka lëshuar një urdhër arresti për një YouTuber, i cili dyshohet se ka falsifikuar provat që shpifin për aktorin.

Autoritetet thonë se YouTuber-i kishte manipuluar pamje të mesazheve me tekst dhe kishte ndarë një skedar audio të krijuar me inteligjencë artificiale, për të dhënë përshtypjen se aktori kishte dalë me aktoren Kim Sae-ron kur ajo ishte ende e mitur. Akuzat dolën në sipërfaqe vitin e kaluar, menjëherë pasi Kim Sae-ron vrau veten në moshën 24-vjeçare. 

Muaj pas vdekjes së Kim Sae-ron, YouTuber-i kishte postuar në internet një regjistrim zëri në të cilin dëgjohej aktorja duke thënë se kishte qenë në lidhje me Kim Soo-hyun që kur ishte në shkollë të mesme. YouTuber-i Kim Se-ui, i cili ka gati një milion ndjekës në kanalin e tij, kishte paraqitur gjithashtu pamje të mesazheve me tekst që supozohet se janë dërguar midis aktorit dhe aktores.

Autoritetet tani thonë se regjistrimi i zërit është gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe se YouTuber-i kishte manipuluar pamjet e ekranit të mesazheve me tekst të dërguara nga telefoni i aktores për ta bërë të dukej sikur i ishin dërguar Kim Soo-hyun. Sipas policisë, YouTuberi i kishte përhapur me vetëdije pretendimet e rreme për përfitime financiare.

Veprimet e tij “shkatërruan bazën shoqërore të Kim Soo-hyun dhe aktivitetet e tij ekonomike në të gjitha aspektet, si dhe shkatërruan bazën e mbijetesës së tij profesionale”, sipas një dosjeje policore të raportuar nga media JoongAng Ilbo. Ai është ende duke marrë trajtim psikiatrik.

Personazhet e famshëm në Korenë e Jugut duhet të respektojnë standarde të larta dhe vihen nën shqyrtim të rreptë. Përveç akuzave serioze për sulme seksuale, personazhet e famshëm janë detyruar të zhduken nga arena publike për shkak se janë ekspozuar si adoleshentë ngacmues ose për shkak se veshin rroba të rreme firmato.

Vetë Kim Sae-ron ishte viktimë e urrejtjes në internet nga fansat pasi u gjobit për një incident drejtimi të makinës nën ndikimin e alkoolit në vitin 2022. Përpara kësaj, ajo ishte parë si një nga aktoret e reja më premtuese në Korenë e Jugut.

Pas vdekjes së saj dhe pëerhaojes së lajmit se ajo kishte dalë në takim në moshën 15-vjeccare me Kim Soo-hyun, agjencia e tij fillimisht mohoi që çifti të kishte pasur ndonjëherë një lidhje. Më vonë aktori pranoi se në fakt kishte dalë me aktoren për një vit – por vetëm kur ajo ishte rritur.

Në një konferencë shtypi plot lot në mars të vitit 2025, ai këmbënguli se ata nuk ishin takuar kurrë kur ajo ishte nën moshë. “Nuk mund të pranoj diçka që nuk e kam bërë”, tha ai. Madje, ai ngriti kallëzime penale dhe padi kundër YouTuber-it dhe familjes së aktores për akuza të rreme.

Që atëherë, Kim Soo-hyun – e cila dikur luajti në shumë shfaqje televizive dhe reklama të suksesshme – nuk është shfaqur zyrtarisht në publik./HenzaNews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *