Reese Witherspoon: Mos lejo kurrë që dikush të të kontrollojë përmes parave

Reese Witherspoon nuk është vetëm një aktore e dashur. Ajo është edhe një biznesmene e suksesshme. Por mbi të gjitha mbetet një zë i fortë në motivimin dhe fuqizimin e grave. Ajo shpesh iu drejton këshilla, se si t’iu përshtaten ndryshimeve të tregut të punës, si të menaxhojnë financat apo si të kenë sukses në karrierë.

E ftuar në podkastin e Emma Grede, aktorja tha se një nga këshillat më të rëndësishme që i dha nëna e saj ishte të fitonte pavarësi financiare dhe të mos varej kurrë nga askush financiarisht.

“Mos lejo kurrë që dikush të të kontrollojë përmes parave. Kur dikush thotë ‘do të kujdesem për ty’, nuk do të thotë se do ta bëjë gjithmonë. Nëse një person shikon vetëm veten dhe jo ty, atëherë po humbet vite të çmuara të jetës sate. Pavarësia financiare është pushtet”, thotë ajo.

Kjo nuk është e vetmja këshillë dhe qëndrim që ajo ndan me fansat e saj.

Në një video tjetër të ndarë në llogarinë e saj në Instagram, aktorja zbuloi se çfarë duhet të bëjnë gratë për të pasur sukses në profesionin e tyre. “Ndiqni talentet tuaja, jo ëndrrat tuaja”, thotë ajo në postimin e saj.

“Mëso talentet e tua dhe ndiqi ato. Të gjithë kanë ëndrra, por duhet të bësh atë në të cilën je i talentuar. Pra, është përgjegjësia jote të gjesh atë në të cilën je i talentuar dhe ta ndjekësh atë. Ndiq talentet e tua, jo ëndrrat e tua”, përfundon ajo, duke ofruar një mendim alternativ për ata që janë në kërkim të identitetit të tyre profesional.

Në një tjetër dalje, Witherspoon zbuloi këshillën më të mirë që ka marrë në jetë. “Kohët e fundit më pyetën se cila është këshilla më e mirë që më është dhënë ndonjëherë. Është e çmendur dhe tepër e thjeshtë, por është gjithashtu shumë e vështirë”, tha ajo në një video në Instagram, duke shtuar: “Sapo të kuptosh se ajo që mendojnë të tjerët për ty, nuk është puna jote, bëhesh i lirë.”/HenzaNews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *