Pak para nisjes së Kupës së Botës, kompania zvicerane “Denner” ka surprizuar tifozët me një projekt të veçantë filmik. Bëhet fjalë për “Socceritos”, një film i shkurtër në stilin Western, ku protagonistë janë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, sulmuesi Zeki Amdouni, modelja dhe futbollistja Ana Maria Markovic, si dhe legjenda e kinemasë Terence Hill. Premiera e filmit ishte më 27 maj 2026 në Cinema Corso në Zyrih.
Filmi përqendrohet te tre shokët e patrembur Terence, Granit dhe Zeki, të cilët udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, duke i frymëzuar njerëzit e Perëndimit të Egër me lojën e futbollit. Por në një fshat të qetë, “Socceritos” hasin rezistencë: një horr vendas është i vendosur të mos e lejojë futbollin. Situata përshkallëzohet derisa një bast vendos nëse futbolli do të triumfojë atje.
“The Socceritos” u xhirua në Spanjë. Filmat e mëparshëm me Terence Hill u realizuan gjithashtu në këto mjedise klasike perëndimore. Regjisori dhe skenaristi zviceran Reto Salimbeni e drejtoi filmin. Për ekipin, projekti ishte një përzierje nostalgjie, humori dhe pasioni sportiv.
Në një intervistë oër mediat zvicerane, Xhaka ka thënë se ishte një përvojë krejtësisht e re dhe që i pëlqeu shumë. “Jam mësuar të jem para kamerës. Ishte e vështirë të aktroja dhe të mos harroja tekstin në të njëjtën kohë. Por kishim një grup të shkëlqyer në shesh xhirimi me ekipin e Denner, regjisorin (Reto Salimbeni, redaktori), Anën, Zekin, Terence Hill dhe të gjithë ata që morën pjesë.”
I pyetur nëse i njihte filmat e Terence Hill, ai ka thënë se kur ua tregoi lajmin prindërve të tij ata shpërthyen nga gëzimi. “Ai është një legjendë absolute.”
Për pjesëmarrjen në Kupën e Botës si kapiten i kombëtares zvicerane, ai ka thënë se dëshiron të jetë kampion bote.
“E thashë për herë të parë kur isha 16 vjeç në Kupën e Botës U17 – atëherë fituam titullin. Kam qenë kështu gjatë gjithë karrierës sime. Jam dikush që ëndërron shumë dhe beson se çdo gjë është e mundur. Dhe kjo është arsyeja pse po e them përsëri sot se dua të bëhem kampion bote. Sigurisht, shumë gjëra duhet të bashkohen për këtë, por me këtë ekip, shumë gjëra janë të mundura.”
