Filmi “Dua” i regjisores shqiptare, Blerta Basholli, u vlerësua me çmimin SACD në edicionin e 65-të të Semaine de la Critique (Javës së Kritikës), një seksion paralel i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, që javën e kaluar u mbajt në Kanë.
Filmi përcjell jetën e 13-vjeçares Dua, e portretizuar nga Pinea Matoshi, e cila gjendet mes dy realiteteve: atë të përjetimit të adoleshencës përmes ahengjeve, të dashuriçkave, ndryshimit të trupit, dhe atë të mbijetesës në një qytet të tensionuar.
“‘Dua’ lindi pikërisht nga kjo nevojë për të treguar një histori intime, nga perspektiva e një vajze të re që rritet nën hijen e luftës”, shpjegon Basholli në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ajo tregon se ka qenë e interesuar për përplasjen mes pafajësisë së rinisë dhe pranisë së luftës. Sipas saj, luftën ka dashur ta tregojë nga perspektiva e jetës së përditshme, ashtu siç thotë se e ka përjetuar edhe vet.

“Edhe në periudha shumë të vështira, njerëzit vazhdojnë të dashurohen, të bëjnë shaka, të ëndërrojnë dhe të përpiqen të jetojnë normalisht. Pikërisht ky kontrast mes pafajësisë së rinisë dhe pranisë së luftës më ka interesuar më së shumti”.
Për Bashollin, ky vlerësim që i është bërë filmit ka një domethënie shumë emocionale.
“Si dikush që e ka përjetuar luftën si adoleshente, gjithmonë kam ndier nevojën ta kuptoj atë periudhë jo vetëm përmes ngjarjeve historike, por përmes ndjenjave që ka lënë te ne – frikës, pasigurisë, humbjes së pafajësisë, por edhe mënyrës si kemi vazhduar të jetojmë me ato kujtime, te cilat mendoj ende nuk i kemi trajtuar sa duhet”, thotë Basholli për Radion Evropa e Lirë.

Marrja e çmimit SACD është vlerësuar si “arritje e madhe” nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa nga Ministria e Kulturës u konsiderua “arritje e rëndësishme për kinemanë e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Kjo nuk është hera e parë që regjisorja Blerta Basholli trajton aspekte të ndryshme të ndikimit të luftës më 1998-99 në familjet kosovare. Pesë vjet më parë, Basholli realizoi filmin “Zgjoi” (Hive), i frymëzuar nga historia e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila, pas zhdukjes së burrit të saj gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes për të siguruar mbijetesën e familjes.
“Zgjoi”, ndonëse ishte në listën e ngushtë prej 15 filmash, nuk arriti të nominohej për Çmimin Oscar. Përkundër kësaj, ai fitoi disa nga çmimet kryesore në Sundance Film Festival, që është festivali më i madh i filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Basholli thotë se secili film ka rrugëtimin e vet, andaj edhe nuk mund të krahasohen sukseset që mund të shënojnë.
Regjisorja Basholli ka nisur punën për projektin e radhës, një film të bazuar në ngjarje të vërtetë për historinë e një gruaje të dhunuar gjatë luftës.

