“Michael” ka tejkaluar 1 miliard dollarë në shitjet globale të biletave, duke u bërë filmi i parë biografik që arrin këtë rekord të lakmuar në biletari.
Filmi për Michael Jackson ka gjeneruar 629.8 milionë dollarë jashtë SHBA-ve dhe 371.8 milionë dollarë brenda vendit, duke e çuar totalin e tij global në 1.001 miliardë dollarë.
Pavarësisht dramës së zhurmshme prapa skenave dhe debatit kritik, “Michael” ka thyer rekorde dhe pritshmëri që kur u shfaq në ekranin e madh, në muajin prill. Filmi u hap me 97 milionë dollarë në SHBA dhe 217 milionë dollarë në nivel global, duke thyer rekordin e fundjavës për biografi muzikore, të vendosur nga “Straight Outta Compton” i vitit 2015 (60 milionë dollarë).
“Michael” është filmi muzikor biografik me fitimet më të larta, duke tejkaluar sensacionin e Queen të vitit 2018, “Bohemian Rhapsody”, me 911 milionë dollarë. Po ashtu, ai ka tejkaluar “Oppenheimer” të vitit 2023 me 975 milionë dollarë. Është gjithashtu filmi më i madh i të gjitha kohërave për studion filmike Lionsgate, si dhe filmi i parë i saj që ka arritur ndonjëherë 1 miliard dollarë.
Përpara “Michael”, publikimet më të larta të Lionsgate ishin “The Hunger Games: Catching Fire” i vitit 2013 me 865 milionë dollarë dhe “The Twilight Saga: Breaking Dawn- Part 2” i vitit 2012 me 850 milionë dollarë. Lionsgate prodhoi “Michael” dhe u kujdes për shpërndarjen në Amerikën e Veriut, ndërsa Universal e shpërndau filmin në arkën ndërkombëtare.
“Është vërtet prekëse të shohësh njerëz nga e gjithë bota, të rinj dhe të vjetër, nga të gjitha sferat e jetës, të bashkohen për të përjetuar këtë film dhe gëzimin që u ka sjellë shikuesve në çdo cep të planetit “, tha producenti Graham King.
Në të luan Jafar Jackson, i cili debutoi në film si xhaxhai i tij Michael Jackson. Në kast përfshihen edhe Nia Long, Laura Harrier, Giuliano Crue Waldi, Miles Teller dhe Colman Domingo.
