Gjërat që nuk i dinit për Hachikon, qenin më besnik të Japonisë

Patjetër që e dini historinë e Hachikos, qeni që priti pronarin e tij për dhjetë vjet në stacionin e trenit. Filmi “Hachi: A Dog’s Tale” me Richard Gere e ka sjellë mjaft emocionuese këtë histori, duke bërë që të derdhësh lot sa herë që e shikon. Por, në fakt, historia e Hachikos nuk është tamam ajo që shohim në ekran. Historia e vërtetë nuk ka ndodhur në SHBA, por në Japoninë e viteve 1920. Para se të trajtohej nga kinematografia amerikane, për Hachikon është bërë një film japonez në vitin 1987, me titull “Hachiko Monogatari”. Më poshtë, disa fakte interesante për atë që konsiderohet si qeni më besnik i Japonisë.

1- Hachiko nuk ishte me origjinë nga Shibuya apo Tokio

Ai lindi në qytetin Odate, në prefekturën Akita, më 1923. Qenushi i porsalindur u shit për 30 jen (një shumë e konsiderueshme në atë kohë) te Hidesaburo Ueno, studiues i fushë së bujqësisë në Universitetin e Tokios, i cili po kërkonte një qen Akita-inu të racës së pastër. U hip në një tren ekspres dhe mbërriti në Tokio 20 orë më vonë. Ueno e quajti qenushin Hachi sipas numrit tetë në japonisht, i cili konsiderohet me fat – “ko” u shtua më vonë. Qyteti Odate është jashtëzakonisht krenar dhe ka vendosur shumë statuja në zona të ndryshme. Ata gjithashtu kanë dekoruar kapakët e pusetave të qytetit me personazhe vizatimorë që lidhen me Hachiko-n. E po ashtu, kanë një muze të vogël, Akitainu Hozonkai, që përmban gjithçka për Akita-inu-në.

2- Ai u ngacmua nga kalimtarët

Në vitin 1925, profesori vdiq papritur dhe nuk u kthye më kurrë në stacion. Hachi u dhurua dhe u detyrua të kalonte nëpër shtëpi disa kilometra larg Shibuyas, por ai vazhdoi të vraponte në stacionin Hachiko, i pavetëdijshëm për atë që kishte ndodhur. Përfundimisht, ai u vendos në shtëpinë e Kikuzaburo Kobayashi, ish-kopshtarit të Uenos, e cila ishte afër shtëpisë së mëparshme të Uenos. Qenushi vazhdoi të vinte në stacionin Shibuya çdo ditë, saktësisht në të njëjtën kohë. E priti profesorin në shi, borë dhe vapë vere, për gati 10 vjet. Ka disa histori që thonë se Hachi u rrah dhe u ngacmua nga këmbësorët apo nga fëmijët, ndërsa ai endej nëpër stacion.

3- Historia e tij u bë virale në vitin 1932

Kur Hirokichi Saito, kryetari i Nihon Ken Hozonkai (Shoqata për Ruajtjen e Qenit Japonez), mësoi për Hachin dhe historinë e tij, botoi një artikull në gazetën “Asahi Shimbun” rreth asaj se si ai po keqtrajtohej. Historia natyrshëm preku zemrat e lexuesve dhe Hachi shpejt u bë një ikonë publike, i vlerësuar dhe i dashur për besnikërinë e tij.

4- Ai mori pjesë në zbulimin e statujës së tij

Hachiko, në fakt, u shfaq në përurimin e statujës së tij në vitin 1934. Sipas historive, shumë njerëz u përpoqën të fitonin para duke pretenduar se ishin ata që e kishin krijuar statujën. Skulptori i vërtetë, Teru Ando, i cili ishte një i njohur i Saitos, nxitoi ta përfundonte kryeveprën e tij përpara se gjërat të dilnin jashtë kontrollit.

5- Gjatë Luftës së Dytë Botërore, statuja e u shkri për të pjesë treni

As statuja e Hachikos nuk arriti të bënte përjashtim gjatë Luftës së Paqësorit. Statuja origjinale u shkri vetëm një ditë para se të mbaronte lufta. Disa thonë se metali u përdor për të prodhuar pjesë për një lokomotivë, për atë që tani është linja Tokaido. Pas luftës, djali i Teru Ando (që bëri statujën e parë), Takeshi, ndërtoi një statujë të re, e cila është ajo që shihni sot në Shibuya. Statuja në stacionin Odate u shkri gjithashtu gjatë luftës, me statujën aktuale që daton nga viti 1967.

6- Hachiko dhe Ueno u ribashkuan pas më shumë se 80 vjetësh

Tetëdhjetë vjet pas vdekjes së qenit, Universiteti i Tokios nisi një projekt për të ndërtuar një statujë përkujtimore për të ribashkuar Hachikon dhe pronarin e tij. Më shumë se 10 milionë jen u mblodhën nga donacionet e individëve dhe kompanive të ndryshme për të realizuar ribashkimin fiktiv. Mund ta gjeni në kampusin e Universitetit të Tokios, pranë Parkut Ueno./HenzaNews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *